Kryeministri Edi Rama i ka kthyer një tjetër përgjigje Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ligës Profesioniste. Në një konferencë për mediat, Rama tha se nuk mund të lejohet që futbollistët të jenë 10 vite pa asnjë taksë.

Kreu i qeverisë më tej shtoi se mund të bëhet ulja e TVSH-së për investimet në sport, për investimet në infrastrukturë dhe për futbollin e fëmijëve. Rama tha se për sportin është bërë shumë nga qeveria e tij, por shtoi se nuk mund t’i bëjnë presion disa biznesmen dhe president klubesh.

“Ne kemi bërë një ligj për sportin dhe kemi dhënë incentiva për futbollin që nuk i ka bërë asnjë më parë. Po që të na kërkojnë 10 vjet  pa taksa kjo nuk funksionon. Jemi dakord për një periudhë starti, për të formalizuar pagat. Nuk mund të pranojmë që futbollistët të marrin 230 mijë lekë rrogë, marrin shumë më shumë por nuk i deklarojnë.

Patjetër një ulje fillestare, patjetër një TVSH 6% për një investime në sport, mund të shihet taska për investimet në infrastrukturë. Jemi gati të bëjmë atë që duhet për zinxhirin e fëmijëve, por kjo historia që klube me pronarë që duan të shkarkojnë parat e bizneseve të tjera, kjo nuk shkon. As me biznesmen që kanë veshur bluzën e futbollit dhe ti bëjnë presion qeverisë, as kjo nuk shkon”, tha Rama./tvklan.al