Sot, në ditën e parë të vitit të ri shkollor, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu inauguruan shkollën e rindërtuar “Babë Dudë Karbunara”, një shkollë simbol në qytetin e Beratit, dhe një nga 25 shkollat e reja që hapën dyert sot për 10 mijë nxënës në të gjithë vendin.

Investimi në këtë shkollë, është një nga investimet më të mëdha të këtij viti në infrastrukturën arsimore, që ka krijuar kushte të reja dhe moderne për 600 nxënës dhe mësues.

Kryeministri Edi Rama u ndal te investimet që qeveria shqiptare ka bërë në qytetin e Beratit dhe theksoi rëndësinë e investimit në shkollën “Babë Dudë Karbunara” si pjesë e projektit kombëtar “Shkolla 2030”.

Bindja ime është se ne e kemi energjinë, kemi kurajën, kemi eksperiencën, por mbi të gjitha kemi edhe dëshirën e jashtëzakonshme që duke i bërë gjërat më mirë, ta çojmë në një nivel tjetër jo vetëm arsimin, por Shqipërinë e cila në 2030-ën duhet të vendosë flamurin kuq e zi të Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe flamurin për të cilin luftoi edhe Babë Dudë Karbunara dhe të gjithë patriotët e tjerë, aty në oborrin e familjes europiane, në të njëjtën radhë, në të njëjtën gjatësi shtize dhe me të njëjtat të drejta me flamujt e tjerë të shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Dhe natyrisht, për të bërë këtë, na duhet që të kemi një Shqipëri ku funksionon ligji edhe drejtësia, ku ekonomia është gjithëpërfshirëse dhe ku të gjithë kanë pjesën e tyre në rritjen ekonomike, jo thjesht si kontribut, por edhe si përfitim, dhe ku arsimi, shëndetësia, shkenca janë të atilla në nivel ku nuk i ndan më një hendek aq i thellë dhe aq i errët sa ai që i ndante kur ne morëm këtë detyrë”, tha Kryeministri Rama.

 Investimi në shkollën “Babë Dudë Karbunara” ka shtuar hapësirat mësimore, duke përfshirë 26 klasa të reja, laboratorë për lëndët shkencore, bibliotekë, dhe një palestër moderne për aktivitetet sportive. Shkolla ofron gjithashtu mundësi për zhvillimin e programeve sportive dhe kulturore, duke u shndërruar në një qendër multifunksionale për komunitetin e Beratit.

 Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj, vuri në dukje se ky vit i ri shkollor është veçanërisht domethënës, pasi 25 shkolla të reja kanë hapur dyert për rreth 10 mijë nxënës në mbarë vendin, të ndërtuara dhe rinovuara sipas standardeve europiane.

“Jemi në një prej shkollave simbol të Shqipërisë dhe shohim sesi një projekt është bërë realitet falë mbështetjes së qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit Rama, që asnjëherë nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë investimi në arsim, investimi për njerëzit, për nxënësit, dhe për mësuesit. Kjo shkollë është shëmbëlltyrë e vizionit tonë për modelin e shkollave që na duhen. Përtej Tiranës, ne sot shohim shkolla të forta, shkolla të bukura, shkolla që ofrojnë të gjithë infrastrukturën për nxënësit që ata të rriten dhe zhvillohen njësoj si në kryeqytet, si në qytet edhe në fshatrat më të thella, sepse investimet tona janë në të gjithë Shqipërinë. Sot, në ditën e parë të shkollës, hapin dyert 25 shkolla të reja. Janë më shumë se 40 kantieret në të cilat ne jemi duke punuar në të gjithë Shqipërinë dhe më shumë do të bëjmë për sistemin tonë arsimor, për shkollat tona, për shkollën ’20-‘30. Ai vizioni ynë që kemi për Shqipërinë Europiane në prioritetin e saj ka arsimin, ka edukimin”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Programi “Shkolla 2030” tha Manastirliu synon të krijojë shkolla të teknologjisë së lartë, me infrastrukturë të modernizuar dhe standarde europiane.

Rëndësi të veçantë, përveç infrastrukturës, ka edhe mbështetja e mësuesve që sipas Manastirliut janë shtylla e sistemit tonë arsimor.

“Premtimi për rritjen e pagave të mësuesve është bërë realitet për 31 mijë mësues. Paga mesatare e mësuesve tanë sot është 950 euro. Ne do të vijojmë me rritjen e pagave, por ky ishte një kapërcim historik, sepse të investosh te mësuesit do të thotë të investosh te e ardhmja, te fuqizimi i kapitalit njerëzor, te dijet që ata përcjellin. Dhe sot, në nisjen e këtij viti të ri shkollor, mësuesit tanë janë më të motivuar, më të frymëzuar, edhe sepse jo vetëm rritja ka ndikuar, por sepse tashmë ne për mësuesit kemi dhe Programin Kombëtar të Zhvillimit të mësuesve që parashikon një mbështetje për kualifikimin dhe edukimin në vazhdim të tyre. Kemi filluar gjatë këtij viti me trajnimin e 4 mijë mësuesve të shkencave, të teknologjisë dhe informacionit, arsimit fillor, gjuhës shqipe dhe do të vijojmë gjatë këtyre viteve me trajnimin e 16 mijë mësuesve,” tha Manastirliu.

/tvklan.al