Rama: Për familjet e prekura do të ketë bonus qiraje

Kryeministri Edi Rama ishte në Vlorë ku pa nga afër punimet për projektin që lidh rrugën Transballkanike me portin e këtij qyteti.

Por projekti prek edhe disa banesa, pronarët e të cilave e kanë kundërshtuar atë. Kryeministri Rama u ka shpjeguar se për ata që kanë ndërtuar pa leje dhe që do të mbeten pa banesë bashkia ka miratuar një bonus qiraje dhe do të hyjë në programin e strehimit social.

“Kjo punë këtu do bëhet. Kush e ka me dokumente do të shpronësohet sipas ligjit. Kush e ka pa dokumente, do të marrë bonus qiraje dhe strehohet për 3 vjet me pagesë nga Bashkia”.

Në këtë qytet puna vijon edhe në kantierin e Parkut të Shtëpisë së Pavarësisë. Më pas Rama u ndal edhe në punimet e lotit të dytë të rrugës së Lumit të Vlorës dhe që pritet të përfundojë në pranverë.

“Do të jetë shumë e mirë për turizmin dhe ekonominë e zonës. Ata të mos dëgjojnë syleshët e Lulit”, tha Rama.

Tv Klan