Takimi Rama-Blinken, Sekretari amerikan i Shtetit mirënjohës ndaj Shqipërisë
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Kryeministri Edi Rama, patën një prononcim për gazetarët përpara takimit që zhvilluan kokë më kokë për 45 minuta në Washington.
Antony Blinken: Në fillim të verës së kaluar, pasi njoftuam se do të largoheshim nga Afganistani ju ishit i pari që pranuat refugjatët afganë të evakuuar. Ajo që keni bërë është një nderim i madh, tregon bujarinë e Shqipërisë që ka hapur dyert për 2 mijë afganë. Unë jam mirënjohës për këtë, por edhe për punën që po bëjmë çdo ditë në Europë për sigurinë dhe lidhjet e ngushta që kemi veçanërisht përmes NATO-s. Gjithashtu siç thashë në KS të OKB, ku kemi shumë çështje sfiduese për të punuar së bashku. Është shumë mirë që jeni këtu, pres një bisedë shumë të mirë.
Edi Rama: Faleminderit shumë zoti Sekretar është nder të jesh me ju. Sigurisht është gjithashtu një kënaqësi e madhe që ju shohim në fillim të vitit që shënon 100-vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike. Ato u ndërprenë brutalisht nga Shqipëria, duke shkuar në një drejtim tjetër për më shumë se gjysmë shekulli, por ja ku jemi sërish bashkë dhe e vlerësojmë si më të shtrenjtën këtë miqësi, këtë lidhje. Ne jemi shumë krenarë që jemi aleatët tuaj dhe do të bëjmë ç’mos për të ruajtur këtë miqësi të veçantë.
Rama tregon çfarë bisedoi me Blinken: Nga marrëdhëniet bilaterale tek ecuria e reformave
Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për Zërin e Amerikës tregoi se çfarë ka biseduar me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken. Kreu i qeverisë tha se me Blinken diskutoi për një sërë temash të ndryshme, ndër to edhe bashkëpunimi në Këshillin e Sigurimit ku të dyja vendet do të jenë bashkëpenëmbajtëse për krizën në Ukrainë.
“Diskutuam në lidhje me bashkëpunimin në KS lidhur me marrëdhëniet bilaterale, padiskutim lidhur me rajonin, me ecurinë e reformave në Shqipëri dhe në tërësi besoj që prekëm të gjitha temat që janë të rëndësishme për këtë marrëdhënie përfshirë edhe temën e të qenit bashkë në aleancën e NATO-s.
Ky është një proces i njohur në traditën e KS ku dy vende bëhen bashkë për të adresuar një apo disa dosje të caktuara dhe SHBA na e propozuan ne këtë bashkim. Ne e pranuam me shumë kënaqësi dhe përgjegjësi. Kjo na jep mundësinë që në KS të luajmë një rol të veçantë.
Kjo nuk është një çështje e Shqipërisë, por kjo është një çështje tanimë e të gjithë botës, e OKB, e Këshillit të Sigurimit dhe patjetër që në këtë proces do të jemi krah për krah me SHBA dhe sigurisht të jemi krejt realistë, vendimmarrja i takon SHBA”, tha Rama.
Rama: Disa qytetarë shqiptarë do të vijojnë të qëndrojnë në Ukrainë
Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për Zërin e Amerikës është pyetur nëse Shqipëria ka propozuar ndonjë rezolutë në lidhje me krizën në Ukrainë. Kreu i qeverisë tha se kjo nuk është çështje e Shqipërisë, por e të gjithë botës tashmë dhe vendimmarrja për këtë i takon SHBA-së. Sa i përket masave që ka marrë vendi ynë për qytetarët shqiptarë në Ukrainë, kreu i qeverisë tha se do të vijojnë të qëndrojnë disa qytetarë shqiptarë që janë pjesë e misionit të monitorimit të OSBE-së.
“Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka marrë të gjitha masat e nevojshme siç e ka konsideruar të arsyeshme. Ndërkohë kemi disa qytetarë shqiptarë që janë pjesë e misionit të monitorimit të OSBE që do vijojnë të qëndrojnë atje”, tha Rama.
Rama: Kush ka ngjyer dorën në korrupsion duhet të marrë ndëshkimin e merituar
Gjatë vizitës në Uashington, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një intervistë për Zërin e Amerikës. Kreu i qeverisë është pyetur në lidhje me aferën e inceneratorëve ku tha se përgjegjësia është individuale.
Pyetjes nëse shqetësohet nëse dalin ministra apo ish-ministra të tjerë në lidhje me këtë aferë, Rama tha se nuk është i shqetësuar sepse prandaj është bërë Reforma në Drejtësi.
“Nuk hyj nga ata që e mendoj këtë. Unë besoj që janë dy gjëra krejt të ndara njëra me tjetrën. Një proces që është kurorëzuar me vepra që janë në shërbim të vendit, në shërbim të komunitetit, në shërbim të shëndetit dhe mjedisit, dhe paralelisht me veprime të dyshuara individësh të caktuar që mbeten në suazën e përgjegjësisë individuale. Për të tjerat besoj që jemi në kushte shumë komode kur Prokuroria Speciale po heton dhe i takon asaj që të evidentojë faktet bazuar në hetim dhe në prova, jo bazuar në llafe e spekulime. Nuk shoh asnjë lloj shqetësimi për të vërtetën sepse përderisa po hetohet e vërteta do të dalë deri në fund. Ndërkohë si ditën e parë dhe sot mbetet i mendimit që ato janë vepra të dobishme në funksion të mjedisit, njerëzve dhe komuniteteve.
Shkeljet do t’i verifikojë prokuroria prandaj thashë. Është një rast fatlum ku gjithçka thuhet kalon në filtrin e një organizmi të specializuar dhe nuk kemi të bëjmë me një rast ku flitet dhe në fund fare balta shpërndahet pa hesap.
Unë nuk jam i shqetësuar se mund të dalin ministra apo ish-ministra, apo kushdo qoftë tjetër sepse për këtë e kemi bërë Reformën në Drejtësi dhe kur unë e kam thënë që Reforma në Drejtësi bëhet për një drejtësi të drejtë, as të majtë, as të djathë dhe përgjegjësia për rolin e çfarëdo qoftë në jetën publike është individuale. E kam besuar atëherë, e besoj dhe sot. Nëse ka njerëz që kanë ngjyer dorën në një proces që është bërë për t’i shërbyer vendit dhe komuniteteve, sigurisht që ata duhet të marrin ndëshkimin e merituar sepse e kanë bërë këtë pas shpinës së një force qeverisëse që është këtu për shqiptarët dhe nuk është këtu për xhepat e vet”, tha Rama.
Rama: Kriza në PD po dëmton vendin
Në intervistën e dhënë për Zërin e Amerikës pas takimit që pati me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Kryeministri Edi Rama u pyet edhe sesi po ndikon situata brenda Partisë Demokratike në vend.
“Ne nuk kemi pasur opozitë prej vitesh. Nuk është diçka e re përsa i përket qeverisjes, sepse opozita që kemi pasur ka qenë një opozitë muskujsh dhe jo një opozitë mendjesh. Por ajo që ndodh, jo vetëm që nuk është e lehtë, por edhe shumë dramatike, është një përçarje e madhe që reflektohet në një ndarje të madhe edhe në popull, tek njerëzit, duke shkatërruar premisat e një opozitarizmi modern, konstruktiv, europian, alternativë fituese, por edhe natyrisht duke dëmtuar vendin, nuk diskutohet. Por ne nuk mund të ndryshojmë gjësendin në atë dinamikë, është një pengmarrje spektakolare e opozitës nga dy personazhe që janë tragji-komikë në përpjekjen e tyre për hir të vërtetës. Njëri i shpallur nongrata nga SHBA që është fundi i botës për një lider të çfarëdolloj organizate në një vend si Shqipëria dhe tjetri një humbës serial që flet sikur ka zbuluar Amerikën. Po në fakt thjesht dhe vetëm është peng i vetvetes, janë dy udhëheqës, dy drejtues, dy personazhe pa asnjë legjitimitet”.
‘Territorialja’, Rama: Jam për më pak njësi vendore, por i hapur për diskutime
Kur vjen puna tek Reforma Territoriale, për të cilën javën e shkuar parlamenti votoi me kërkesë të opozitës ngritjen e një komision të posaçëm, Kryeministri Edi Rama është i mendimit se ajo që duhet korrigjuar nga reforma e 2014 është që të ketë më pak njësi vendore. Megjithatë përballë kërkesave të opozitës, ai thotë se është gjithmonë me mendje të hapur.
Të enjten e kaluar parlamenti votoi për ngritjen e dy komisioneve të posaçme, atë Zgjedhore dhe Territoriale. Reforma e fundit territoriale në Shqipëri është bërë jo shumë vonë në vitin 2014 për pjesëmarrjen opozitës, që ajo e bojkotoi në atë kohë. Çfarë mendoni ju se duhet korrigjuar tani?
Mendoj që duhet të ketë më pak njësi vendore.
Opozita pretendoi që duhet të ketë më shumë, a mos këto të dyja paragjykojnë fundin e saj jo të suksesshëm?
Jo komisioni është aty për t’i diskutuar të gjitha këto dhe për të bërë më të mirën për vendin, nuk është aty për të nxjerrë kunja me njëri-tjetrin. Besoj që të paktën nga ana jonë do të vlejë për të ballafaquar argumentet, për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të dalë në konkluzione që i shërbejnë vendit.
Pra ju jeni i hapur për të hyrë me mendje të hapur në diskutim, që edhe mund të shtohen?
Unë jam gjithmonë me mendje të hapur.
Rama: Reforma Zgjedhore nuk të jep fitore në tavolinë. Zgjedhjet fitohen në popull
Kryeministri Edi Rama thotë zgjedhjet fitohen në popull, duke marrë votat, e jo nga Reforma Zgjedhore. Ai shprehet mendjehapur edhe në ngritjen e Komisionit të Posaçëm për këtë çështje, por thekson se kjo nuk zgjidh problemin real sipas tij të opozitës.
Për Reformën Zgjedhore që është komisioni tjetër… në Shqipëri zakonisht sa herë mbarojnë zgjedhjet, gjithmonë thuhet që do mblidhemi, do e përmirësojmë procesin zgjedhor dhe gjithmonë shtyhen, lihen për momentin e fundit dhe bëhen ndryshimet me urgjencë, që duhen ribërë sërish. A pritet të ndryshojë diçka këtë herë, të bëhen më në formë institucionale, më të stabilizuar?
Unë mendoj që ne mund të bëjmë çdo ndryshim, por në thelb Reforma Zgjedhore nuk të jep fitoren e zgjedhjeve në tavolinë. Zgjedhjet fitohen në popull, zgjedhjet fitohen duke marrë votat e njerëzve. Kështu që e bëjmë dhe një reformë tjetër nuk është problem, jemi edhe këtu me mendje të hapur, por kjo nuk do të zgjidhë problemin real që kanë ata që kërkojnë pas çdo zgjedhje të humbur komision të ri.
Rama: Lufta ndaj korrupsionit do kohën dhe durimin e vet
Kryeministri Edi Rama është shprehur gjatë një interviste për Zërin e Amerikës se lufta ndaj korrupsionit do kohën dhe durimin e vet. Ai tha se qeveria ka marrë përsipër të udhëheqë Reformën në Drejtësi dhe të marrë përsipër ndryshimin e të gjithë sistemit të shërbimeve.
“Prania e korrupsionit në sistemin tonë është e padiskutueshme, e padyshueshme e pavënshme në pikëpyetje. Lufta ndaj korrupsionit që ne kemi organizuar është padiskutim një luftë që e ka atakuar korrupsionin në mënyrën e duhur. Nga njëra anë ne jemi angazhuar duke marrë përsipër të udhëheqim Reformën në Drejtësi dhe nga ana tjetër të marrim përsipër ndryshimin e gjithë sistemit të shërbimeve. Po të bëjmë një krahasim shumë të thjeshtë të kohës së shpenzuar nga qytetarët shqiptarë dhe pamundësisë për të marrë shërbimet në kohën e duhur dhe cilësinë e duhur në krahasim në të shkuarën me sot, nuk ka të krahasuar. Lufta kundër korrupsionit është modernizim, është shtetndërtim, është krijim sistemesh të cilat garantojnë shërbimin në kohën e duhur, garantojnë të gjitha proceset e zbatimit të vendimmarrjeve në kohën e duhur dhe eliminojmë korrupsionin si alternativë. Pra është një luftë që kërkon kohën e vet dhe durimin e vet”.
Rama i ktheu përgjigje edhe pyetjes në lidhje me raportet e organizatave të huaja. Ai u shpreh se nuk i merr të mirëqena 100% për metodologjitë që përdorin dhe se vetë ai i referohet vetëm fakteve.
“Kjo është çështje metodologjish. Kjo është çështje indeksimesh bazuar në metodologji të ndryshme dhe për hir të së vërtetës kam mësuar që mos t’i marr të mirëqena deri në fund të gjitha këto indekse që publikohen. Unë pranova që korrupsioni është problem dhe një sfidë, nuk diskutohet kjo sepse nuk kemi ende një shtet modern, të mirëorganizuar në të gjitha elementet e vet. Për sa kohë mungon kjo, për aq kohë sistemet janë të penetrueshme nga forca e korrupsionit. Ajo që po thosha është se i marr me rezervë. Nuk i marr këto raporte si të mirëqena 100%.Kanë vlerën e tyre, por ne i referohemi fakteve konkrete”, tha Rama./tvklan.al