Pyetjes së gazetës austriake “Profil” nëse ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka mbrojtur vëllain e tij Agron Xhafaj, i dënuar për trafik drogë, kryeministrin Edi Rama i përgjigjet shkurt.
“ Italia nuk e ka kërkuar kurrë ekstradimin e tij. Çfarë duhet të kishim bërë ne?”
Sa i përket provës që ka Shqipëria në fund të Qershorit në Këshilin Europian për çeljen e negociatave, kryeministri thotë se është i gatshëm të heqë dorë, nëse kjo do të luftonte frymën populiste që po përhapet në Europë.
“ Nëse vonesa e hapjes së negociatave për Shqipërinë, do ta ndihmonte Bashkimin Europian të frenonte rritjen e populizmit në BE atëherë unë jam gati. Ne kemi bërë gjithçka që BE na ka kërkuar të bëjmë. Ndryshuam kushtetutën në konsensus me opozitën, e cila nuk pajtohet me pothuajse asnjë çështje. Tani po vendosim në punë një sistem të ri emërimi për gjykatësit dhe prokurorët. Natyrisht, Shqipëria ka nevojë ende për shumë kohë për t’u bërë anëtare e BE-së, por momentalisht ne nuk jemi të interesuar për këtë. Nisja e negociatave për pranimin do të na ndihmonte për zbatimin e reformave”.
Rama pranoi se numri i emigrantëve është rritur nga fillimi i vitit, megjithatë sqaroi se situata mbetet në kontroll. Nëse fluksi do të rritet, kryeministri tha se do të mirëpresë ndihmën e ofruar nga BE, një ndihmë që është nënvizuar vazhdimisht edhe nga kancelari austriak, Sebastian Kurz.
Tv Klan