Kryeministri Edi Rama konfirmoi publikisht se do të largojë nga qeveria 4 ministra.

Në komunikimin e javës, ai sqaroi se Saimir Tahiri nuk do të jetë më Ministër i Brendshëm, Ilir Beqaj shkarkohet nga Ministër i Shëndetësisë dhe Blendi Klosi e Blendi Çuçi nuk do të drejtojnë me Ministrinë e Çështjeve Sociale dhe të Çështjeve Vendore.

Arsyet e këtyre ndryshimeve, sipas Kryeministrit, s’kanë lidhje me protestën e opozitës, apo ndonjë kërkesë të aleatit Ilir Meta, siç është përfolur prej ditës së djeshme në media.

Largimi i katër ministrave, sipas Kryeministrit nuk ka të bëjë as me ndonjë rezervë për performancën e tyre, por vetëm me zgjedhjet e 18 Qershorit, pasi ata janë koordinatorë në zona të rëndësishme.

Kryeministri nuk i bëri publikë emrat që do të zëvendësojnë katër ministrat e larguar, po tha se ata do të jenë të katërt nga radhët e Partisë Socialiste. Ai u bëri thirrje socialistëve dhe mbështetësve të tyre të nisin fushatën elektorale duke trokitur derë me derë dhe e mbylli komunikimin e tij me shprehjen që ai përdor më shpesh.

Vendimin për ndryshimet në qeveri, Kryeministri ua bëri të ditur fillimisht koordinatorëve të Partisë Socialiste, në një takim që pati paradite në selinë rozë.

Edi Rama, fjala e plotë

24 orët e fundit keni dëgjuar turli lloj teorish konspirative për ndryshimet në qeveri, tani dua t’ua shpjegoj unë si qëndron çështja e këtyre ndryshimeve. Së pari këto ndryshime nuk kanë asnjë lidhje, është fajde elektorale, që jepen një orë paradite, një orë pasdite në studion televizive që është instaluar këtu poshtë zyrës time. S’kanë asnjë lidhje ndryshimet as me deputetët e shkretë të PD –së që bëjnë dyshe turne nate me grafik, për të ruajtur studion dhe turfullojnë me njëri-tjetrin për pagesat e figurantëve të cilët mezi po i mbledhin për të duartrokitur liderin të cilët nuk e kanë. S’kanë asnjë lidhje ndryshimet natyrisht as me muzikën, që mbush çadrën bosh gjatë gjithë ditës, megjithëse për të qenë i sinqertë deri në fund është një muzikë nën nivelin mesatar të klubeve të natës të Shqipërisë. Së dyti ndryshimet janë politike dhe ministrat e ministret që do t’i çoj Presidentit të Republikës për dekretim do të jenë katër, në radhët e Partisë Socialiste. Së treti, ndryshimet nuk nxiten nga rezerva për punën e për rezultatet e katër ministrave, të cilët largohen me konsideratën time më pozitive për kontributin e tyre, në rrugën e vështirë të reformimit dhe transformimit gjatë këtyre 3 vjetëve e gjysmë përpjekje për të bërë shtet. Duke filluar natyrisht nga Saimir Tahiri, kampioni ynë në një rrugë ku Policia e Shtetit, nga institucioni më I korruptuar, bashkë me gjykatat sipas anketimit të bërë nga Bashkimi Europian në vitin 2013, u kthye në institucionin më të besuar për shqiptarët, sipas të njëjtit anketim, në vitin 2016. 

Duke vazhduar me Blendi Klosin, i cili e çoi përpara me përkushtim dhe me rezultate të lavdërueshme, stafetën e marrë nga Erion Veliaj, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale e të Rinisë. Më tej me Ilir Bejqen, i cili u godit pa pushim, me baltën e akuzave të shpifura të opozitës, mbështetur e ushqyer nga lobet farmaceutike, që humbën pushtetin e tyre korruptiv mbi sistemin e shëndetësisë, ku pa asnjë diskutime, Ministri ka bërë ndryshime që tre vjet e gjysmë më parë as nuk mund të mendoheshin.

Dhe në fund, por jo për nga rëndësia, me Bledi Çuçin, që udhëhoqi dhe koordinoi së bashku me Bashkim Finon, reformën historike administrative territorial. 

Së katërti, ndryshimet nuk lidhen me ndonjë kërkesë të caktuar të bashkëkryetarit të koalicionit, Ilir Meta, i cili e ka mbështetur e respektuar që ditën e parë rolin tim kushtetues si kryeministër, në caktimin dhe lirimin e ministrave pa asnjë dallim.

Së pesti, ndryshimet e qeverisë, nuk reflektojnë asgjë tjetër, përveçse domosdoshmërinë, që udhëheqësit tanë politikë, të fushatës së 18 Qershorit, të fokusohen me energji të reja dhe prani të vazhdueshme pranë njerëzve, në përballimin e volumit të jashtëzakonshëm të kontakteve me njerëzit, që kërkon kjo fushatë.

Duke nisur nga Tirana, ku Saimir Tahiri është kryetari I partisë sonë dhe ambicia jonë është të ngrihemi mbi rezultatin e fitores shembullore të vitit 2013. U bëj sot thirrje gjithë socialistëve dhe mbështetësve të Partisë Socialiste, të lidershipit, skuadrës, programit tonë të reformave të thella që bëjnë shtet, të ngrihen në këmbë dhe të trokasin derë më derë pa pushim, për të hapur siparin e një beteje të re për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Muzika le të vazhdojë, karvani do shkojë përpara.

/tvklan.al