Kryeministri Rama ka njoftuar se qeveria ka marrë vendimin për të mbyllur për të gjithë për 1 vit rrjetin social “TikTok”, të cilin e ka quajtur “rrugaçi më i madh i lagjes”.

Kryeministri Rama e dha lajmin gjatë takimit me prindërit dhe mësuesit për planin e ri të veprimit për fuqizmin e mekanizmave të sigurisë në shkollë për më shumë cilësi, siguri dhe gjithëpërfshirje.

“TikTok-u është rrugaçi i lagjes që kemi frikë, ne TikTok-un do ta mbyllim për 1 vit. Do të na duhen 6 deri në 8 javë duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për 1 vit do ta mbyllim për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë. Rrugaçëria, thika, presa, shpata, euro, dollarë, nuk sheh në TikTok-un e Kinës. Ndërsa në TikTok-un jashtë Kinës vetëm llum dhe qenëri. Është algoritmi. Problem sot nuk janë fëmijët, jemi ne, problem sot janë TikTok dhe të gjithë Tok-Tokët që na i marrin peng fëmijët, njësoj si rrugaçi më i madh i lagjes. Këtë rrugaç ne do e përzëmë nga lagjia jonë për 1 vit”.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka theksuar se gjatë javëve të ardhshme, të gjitha shkollat do të hyjnë në programin e monitorimit dixhital.

“Të gjitha shkollat do të hyjnë në programin e monitorimit dixhital. Kemi një vit që punojmë në javët e ardhshme do të firmosim marrëveshjen, të gjithë prindërit do të knë mundësi të shkojnë tek shkolla dhe të shohin në video fëmijën e vet dhe për çdo problematikë që krijohet, drejtoria e shkollës do të ketë mundësi të ballafaqojë prindër, mësues. Edhe sistemi i fletores dixhitale, ku prindi do të marrë edhe përshkrimin e sjelljes lidhur me fëmijën e vet, do të forcojë këtë ndërveprim. Nuk ka ministria që zëvendëson familjen dhe që zëvendëson prindërit”.

/tvklan.al