Kryeministri i vendit, Edi Rama ka mbajtur fjalën në emër të Shqipërisë në Samitin për të Ardhmen që i paraprin sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka theksuar se Shqipëria mbështet plotësisht paktin për të ardhmen. Kryeministri Rama ka shtuar se sfidat mes kombeve janë të ndërlidhura dhe si të tilla, nëse nuk përballen me to, do të dështojnë të gjithë së bashku.

Edi Rama: Sot, sytë e botës duhet të jenë të kthyera në këtë mbledhje, pra mund të themi sinqerisht se popujt e botës vazhdojnë të besojnë në premtimin e një të ardhmeje më të mirë, ndërsa na shohin të mbledhur këtu. Dyshoj seriozisht për këtë e kjo është diçka me të cilën të gjithë duhet të përballemi nën këtë çati, çatinë e Kombeve të Bashkuara. Na duhet të kemi kurajën të pranojmë se së fundi, veprimet tona shumë shpesh kanë qenë larg përmbushjes së pritshmërive të popujve që deklarojmë se u shërbejmë.

Herë pas here OKB nuk ka mundur të përmbushë shpresat e ne, popujve, e frika për të ardhmen vazhdon të rritet kudo, në Lindje, në Perëndim, në Veri e në Jug, ndërsa krizë pas krize bie mbi ne.  Këto kriza kanë shkatërruar terrenin e përbashkët, na kanë përçarë më tej e megjithatë edhe midis kësaj trazire, në mënyrë konstante kemi çuar dëm mundësitë që secila krizë na ka paraqitur për një ndryshim kuptimplotë.

Pra si t’ia nisim të rindërtojmë atë besim që është gërryer?

Si të vërtetojmë që veprimi shumëpalësh nuk është thjesht një fjalë boshe, por fuqia që mund të zgjidhë vërtetë sfidat që po shfaqen e ato të ngutshme të kësaj kohe. Si të dëshmojmë që fuqia jonë kolektive nuk është thjesht më e madhe se sa përpjekjet e fragmentarizuara, të shkëputura e ndonjëherë veprimet destruktive të kombeve individuale, por e vetmja rrugëzgjidhje që kemi për të shpëtuar që njerëzimi të mos bjerë në kolaps përpara syve tanë.  

Si të frymëzojmë, në vend se t’i demoralizojmë njerëzit e zakonshëm? Jetët e të cilëve shkatërrohen ditë për ditë nga veprimet e papërgjegjshme të fuqive të vogla e të mëdha të globit, përfshi në Europë, ku një luftë e re ka vënë në pikëpyetje jo vetëm gjithçka që dikur mendonim të padiskutueshme, por edhe ekzistencën e njerëzimit të përballur me kërcënimet e marra, të hapura për përdorimin e armëve bërthamore.

Sinqerisht, nuk i kam të gjitha përgjigjet, në mos asnjë, por një gjë është e qartë, që bota ka ndryshuar dramatikisht qysh prej se Kombet e Bashkuara janë themeluar tetë dekada më parë. E duket sikur kemi humbur atë që është arsyeja e pastër që ky institucion mbetet i pazëvendësueshëm. Këtu duhet t’ia nisim! Duhet të përpiqemi me përpjekje të mëdha që të rimarrim ndjesinë e përbashkësisë që ka humbur. Jemi buzë një rreziku të jashtëzakonshëm e askush nuk është i sigurt, pavarësisht pozitës gjeografike, mendësisë, pasurisë, fuqisë, pavarësisht sistemeve politike e shoqërore.

Sfidat tona janë të ndërlidhura thellësisht, e nëse nuk përballemi me to, me një rend të rienergjizuar shumëpalësh do të dështojmë të gjithë së bashku. Veprimi shumëpalësh nuk është një zgjedhje, është nevojë urgjente. Problemet me të cilat përballemi sot, qofshin si rezultat i veprimeve apo mosveprimeve tona, kërkojnë përgjigje kolektive. Ato janë shumë të skajshme e shumë globale për tu përballur përmes përpjekjeve të izoluara apo përmes veprimeve konfrontuese.

Shqipëria mbështet plotësisht Paktin për të Ardhmen dhe të gjithë angazhimet e saj, por më lini të theksoj, angazhimet të vetme nuk janë të mjaftueshme aspak. Ato duhet të përmbushen, të zbatohen. Fjalët qëllimmira duhet të transformohen në vepra dhe veprime të përbashkëta e nuk mund të them që kjo duhet të jetë.

Ndërkohë që Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por i ka dhënë botës shembuj të mirë, që është çuar për të mbrojtur humanizmin tonë të përbashkët. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u shndërrua në të vetmin vend në Europë që kishte më shumë hebrenj pas lufte, se sa para saj. Komuniteti hebre u rrit 20-fish gjatë holokaustit falë familjeve muslilmane e të krishtere, që i mbrojtën nga nazistët. Më së fundi, pas shkatërrimit e rënies së Kabulit në duart e talibanëve 3 vjet më parë, ne strehuam disa mijëra afganë që në të kundërt do të kishin përfunduar në rrethin e nëntë të Ferrit!

Shqipëria po kështu i ka dhënë botës shenjtoren më të re, Nënë Tereza, jeta e së cilës ka mishëruar dashurinë për njerëzimin. Na ka kujtuar se jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë e ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë!

Kombet e Bashkuara miratuan sot një “Pakt për të ardhmen” që synon adresimin e sfidave të shumta të shekullit, nga konfliktet te ndryshimet klimatike dhe të drejtat e njeriut, pavarësisht kundërshtimeve të minutës së fundit nga një grup vendesh të udhëhequra nga Rusia.


/tvklan.al