TikTok do të mbyllet brenda 15 ditëve në vendin tonë. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe njëherësh drejtuesja e politike për qarkun e Fierit, Belinda Balluku, tha se gjatë një takimi me mësuesit në Lushnjë se bllokimi i kësaj platforme do të realizohet gradualisht.
“Mbyllja ka filluar, teknikisht nuk është si mbyllje dritash, nuk është si shkëputje e energjisë që bën blackout, ditë pas dite gryka e TikTok-ut do ngushtohet dhe në një periudhë prej 10-15 ditësh, normalisht që do të duhet të jetë blackout”, tha Edi Rama.
Absurde e cilëson protestën e PD kundër vendimit për mbylljen e TikTok.
“Një forcë politike, cilado qoftë, të ngrihet dhe të kërkojë t’u bëjë thirrje fëmijëve mos shkoni në shkollë që të çlirojmë TikTok-un, është e pakonceptueshme. Dhe fakti që reagimi është zero, është shumë domethënës, përsëri sepse prindërit në këtë rast, harrojnë që janë socialistë, harrojnë që janë demokratë, sepse janë prindër”, tha kryesocialisti.
Gjatë bashkëbisedimit, Rama u zotua për rritje të pagave gjatë mandatit të katërt.
“Paga mesatare e mësuesve është 930 Euro dhe natyrisht që është shumë më shumë seç ishte, por duhet të jetë ende më tepër dhe jemi shumë të vetëdijshëm për këtë”, tha Rama.
Pas takimit me mësuesit, Rama ishte në spitalin “Memorial i Fierit”, nga ku dorëzoi kartën e “Autonomisë menaxheriale” edhe për 6 spitale të tjera.
Klan News