Kryeministri Edi Rama ka prezantuar progamin “Urat e reja për Shqipërinë 2030” për zhvillimin e pronave publike. Sipas kryeministrit ky program ka si qëllim ndërtimin e veprave të reja në fusha të ndryshme, si infrastruktura publike dhe turizmi për të cilat Korporata Shqiptare e Investimeve do të bashkëpunojë me institucionet simotra në Europë.
“Ne jemi këtu për të prezantuar disa projekte të para që janë rezultat i konkurseve ndërkombëtare. Projekte që lidhen me zhvillime të përbashkëta me sipërmarrjen, natyrisht që do të vendosen përmes garave të hapura dhe që synojnë nga njëra anë ti vënë në dispozicioon shtetit hapësira të reja, hapësira me standarde europiane për aktivitetin e administratrës publike dhe nga ana tjetër ti japim mundësi sipërmarrjes që në këmbim të bëj biznes duke hyrë në një marrëdhënie me shtetin të njëjtë si marrëdhënia e përditshme e sipërmarrjes në fushën e ndërtimit me pronarët privatë”, tha Edi Rama.
Ndër projektet e reja pjesë e progamit urat e reja për Shqipërinë 2030 janë Expo Albania, në afërsi të liqenit të Farkës, ku ka qenë dikur pista e helikopterëve. Po ashtu një godinë tjetër do të ngrihet pranë stadiumit Dinamo, e cila do të jetë në funksionon të administratës publike me 22 institucione të administratës qendrore. Pronë tjetër për ndërtim do jetë një objekt sipërmarrjeje pranë ATSH-së në bulevardin Zhan D’Ark me hapësirë nëntokë, hapësira komerciale, zyra, hotel dhe rezidencë.
Pranë shkollës Harry Fultz, parashikohet një godinë për 3 institucione si Kadastra, Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe Shpronësimet. Një godinë me shërbime mikse parashikohet edhe tek Fakulteti i Inxhinierisë ku do të ofrohen apartamente dhe dhoma për studentë.
Me interes është edhe projekti i Bibliotekë Kombëtare tek ish-garda e Republikës, pranë Liqenit Artificial.
“Ju e dini shumë mirë, dhe këtu kam parasysh investitorët dhe sipërmarrësit në ndërtim, se një pjesë jo e lehtë e procesit është gjithë pjesa që ka të bëjë me projektin, pastaj me burokracinë, ndërkohë që në këtë rast merret drejtpërdrejtë një projekt dhe një leje zhvillimi e dhënë që do të thotë që gjithë kjo pjesë kohe dhe konsumi i jashtëzakonshëm energjish që ka të bëjë me pjesën parapërgatitore është ezauruar faktikisht nga partneri shtet. Ne kemi qenë shumë të vëmendshëm që të vendosemi në raport me sipërmarrësit në të njëjtin pozicion si pronari privat që do të thotë as të mos kërkojmë diçka që del jashtë parametrave mesatarë të tregut, por as të mos bëjmë atë që është bërë në të kaluarën që të lëshojmë territor thjesht për të fasilituar një zhvillim privat”, tha Edi Rama.
Rreth këtij projekti kanë folur dhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja si dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
Blendi Gonxhja: Në total janë 22 institucione dhe mbi 10 mijë punonjës shtetëror që do të gjejnë strehim në megakompleksin qeveritar në kryeqytet. Natyrisht si portofol është pjesë e pandashme e qeverisë tonë për Shqipërinë 2030 dhe i bashkangjiten historive të tjera që ne shpresojmë se do të jenë histori suksesi si Expo Albania që do të jetë qendra më e madhe e panaireve dhe ekspozitave në Ballkan.
Erion Veliaj: Ne kaluam në një histeri kolektive të ajo që quhet terapia e shokut, privatizo, privatizo, privatizo, lërë të gjitha asetet publike dhe vetëm sot po shikojmë shtetin sipërmarrës. Pra shteti nuk pret si inferior por si pasiv për ti ardhur këto iniciativa, shteti merr iniciativa, sigurisht fton dhe biznesin privat për të maksimizuar asetet.
Ndërtimi i këtyre objekteve do të vendoset përmes garave të hapura ndërkombëtare për të vënë në dispozicion të shtetit hapësira të reja për aktivitetin e administratës publike dhe për ti dhënë mundësi sipërmarrjes private të bëjë biznes duke hyrë në marrëdhënie me shtetin, një mekanizëm ky që do mundësojë zhvillimin e pronës private.
Klan News