Për t’i dhënë shqiptarëve pasaportën e Bashkimit Europian, Edi Rama thotë se në 11 maj i duhet një votë edhe më e fortë se ajo e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Këtë mesazh zgjodhi ta japë teksa prezantoi njëri pas tjetrit në podkastin e tij kandidatët e Partisë Socialiste që garojnë në listën e sigurtë.
“Për t’ju dhënë pasaportën e BE, na duhet një mandat më i fortë se tre mandatet e mëparshme. Kush e do pasaportën e BE, ka vetëm një mundësi, të bashkohet me votën e bashkuar të na japë këtë mundësi që të pajisim çdo shqiptar dhe shqiptare me pasaportën e BE brenda kësaj dekade”, tha Rama.
Reforma në drejtësi është një tjetër arsye se përse i lipset një mandat i katërt qeverisës.
“S’ka rrugë tjetër dhe këtë shpatë duhet ta ketë në dorë kjo zonjë dhe vetëm kështu ajo pasaporta europiane e Shqipërisë bëhet një realitet. Përndryshe bufi i kënetës ka vetëm një arsye pse rri akoma vërdallë, që të shkojë të marrë shpatën prapë dhe ta plandosë për tokë këtë zonjën. Jo vetëm bufi, por të gjithë ata përballë nesh, në çfarëdo lloj forme të shfaqen nuk kanë çfarë i duhen Shqipërisë më 11 Maj”, tha Rama.
Si në çdo dalje edhe në maratonën prej 10 orësh, Rama nuk harroi zakonin e vjetër duke ironizuar kandidatët në kampin kundërshtar.
“Gjithë ky qark që mbart vlera të shtrydhet dhe në fund të nxjerri Gjin Gjonin. Këtë dhuratë Lezhës mund t’ja bëj vetëm këneta dhe askush tjetër. Një personazh i nxjerrë, një jashtënxjerrje e Reformës në Drejtësi. Një simbol i korrupsionit në drejtësi i njohur pjesërisht”, tha Rama.
7 prej kandidatëve të Partisë Socialiste në listën e sigurtë dolën nga 35 emrat e përzgjedhur në platformën “Deputeti që duam” dhe Akademia Politike”, praktikë që Edi Rama tha se do implementohet edhe në zgjedhjet për pushtetin vendor.
Tv Klan