Në takimin e tij me emigrantët shqiptarë në Selanik, kryeministri Edi Rama e ka një përgjigje edhe për protestën e nacionalistëve grekë.

“Me fletushka dhe parulla qesharake të frymëzuara nga i ashtuquajturi Vorio Epir, ata kanë bërë dhe kërcënime në adresën time të cilat mua vetëm më shkaktojnë keqardhje. Vorio Epiri është një term i vdekur me kohë e me vakt! Ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të lodhur të qarqeve dhe individëve të dalë boje e kohe të këtyre anëve. Kush e përdor akoma këtë term tregon dritëshkurtësinë dhe pafuqinë e vet për të jetuar në shekullin 21. Këto janë fosile për gjynah, nuk janë një asnjë mënyrë arsye që të ushqejnë brenda nesh ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë. Për Shqipërinë, Greqia është një partner i pazëvendësueshëm, përbën një nga brinjët e trekëndëshit strategjik të politikës së jashtme. Për shqiptarët këtu, Greqia është shtëpia juaj, ku ju jeni sot qytetarë të barabartë të Europës, njësoj si grekët, pa asnjë dallim. Ku peripecitë në integrimin e plotë në shoqëri, janë kujtime dhe histori. Kujtime të trishta, por edhe histori krenarie në fuqinë historike të ambicies të prindërve që morën në krah fëmijët për të ardhur këtu për një jetë më të mirë”, deklaroi Rama.

/tvklan.al