Kryeministri Edi Rama ishte në Athinë këtë të dielë për të marrë pjesë në Panairin e Punës. Kreu i qeverisë u ndal edhe tek goditjet e Prokurorisë së Posaçme, teksa theksoi se pushteti i Partisë Socialiste ishte i pari që ia dorëzoi drejtësisë “shpatën e ndëshkimit”.

“Deri tani atë shpatë e mbante pushteti vetë, që nga 1912”, tha Rama.  

Sipas Ramës kjo është mënyra e vetme për të luftuar korrupsion seriozisht në mënyrë që vendi të ulet në tryezën e Bashkimit Europian.

“Nuk kemi asnjë rrugë tjetër”, tha ai.

Para bashkatdhetarëve në Greqi, kryeministri Edi Rama u shpreh se Partia Socialiste është shumë e vendosur që të mos e prekë pavarësinë e drejtësisë.

“Është një kohë shumë e shkurtër kjo për të gjykuar. Drejtësia në Shqipëri nuk ka asnjë traditë pavarësie dhe tradita do kohën e vet. Ne jemi shumë të vendosur të mos e prekim pavarësinë e drejtësisë”, tha Rama.

Ai theksoi se qeveria ka mision të udhëheqë Shqipërinë dhe puna e mazhorancës është mision./tvklan.al