Kryeministri Edi Rama ka qenë mesditën e sotme në kantierin e ndërtimit të kompleksit të godinave qeveritare në zonën e Saukut në Tiranë, ku do të akomodohen me zyra disa agjenci që operojnë në fushën e informacionit dhe sigurisë kibernetike. Gjatë fjalës së tij, Rama ka thënë se është shumë e rëndësishme kjo godinë pasi është me standarde dhe me siguri të lartë.

Edi Rama: E rëndësishme për ne kjo godinë sepse është një godinë e standardeve të sigurisë së lartë, përveç aktivitetit në brendësi të saj. Së fundi është pajisur me një teknologji të fjalës së fundit që na vë në vendet e larta të klasifikimit në Europë për mbrojtjen. Është një agjenci kyçe përsa i përket përpjekjeve për të luftuar me evazionin dhe paratë që vijnë nga veprimtaritë kriminale. Është një godinë me shumë rëndësi dhe ka një pozicion shumë të favorshëm, e shkëputur, por edhe afër qendrës.

E pranishme ka qenë edhe Ministrja për Energjinë dhe Infrastrukturën dhe njëherësh Zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila ka dhënë më shumë detaje rreth godinës.

Belinda Balluku: Një pjesë e zyrave do të jenë në nivelin -1, kati -2 do të jetë me vende parkimi. Këtu do të ketë vendndodhjen dhe Akademia Kibernetike. Nevoja që kemi na ka detyruar ta ngremë këtë akademi. Holli është parashikuar të jetë një holl modular që do të ndryshojë sipas eventeve që do të ketë aty.

Afati i përfundimit të kësaj godine është 18 muaj që përkon me muajin Maj të 2026-ës./tvklan.al