Në prezantimin e Paketës së Motivimit për Administratën kryeministri Rama tha se Administrata Publike nuk është një çerdhe ku njerëzit punojnë për të vjedhur.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Është e padrejtë komplet që për shkak të një pjese të njerëzve që janë në administratë, që janë në çdo sektor, të shikohet ve gjithë masa e madhe e atyre që punojnë, që kontribuojnë si e dyshuar, si e njollosur si e infektuar.
Rama e konsideroi si krenari faktin që SPAK po ndëshkon të korruptuarit në Administratën Shtetërore.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Fakti që sot publiku ballafaqohet me më shumë raste që i sheh, nuk tregon që korrupsioni është rritur, tregon që korrupsioni po luftohet seriozisht sepse aty kanë qenë problematikat, aty ka qenë korrupsioni, por flitej nga të katërta anët, dëgjohej nga të katërta anët, por askush nuk ekspozohej.
Qeveria planifikon që në muajin qershor të hyje në fuqi rritja e pagave për Administratën Publike. Sipas kryeministrit paga mesatare do të jetë 900 euro.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Në qershor hyn në fuqi rritja e re e pagave dhe kështu të gjithë do të kenë një rritje në pagat e tyre dhe do të arrijmë objektivin që kemi shpallur. Që paga mesatare në sektorin publik shqiptar të jetë 900 euro.
Krahas rritjes së pagave të Administratës Publike, qeveria po mendon edhe për pensionistët.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Duke filluar nga pensionet më të ulëta, të rrisim mbështetjen për pensionistët sepse kemi një numër të konsiderueshëm pensionistësh që marrin një pension nën 150 euro.
Ambasadori i BE Silvio Gonzato tha se reforma e administratës publike është kyçe në procesin e integrimit.
Silvio Gonzato, Ambasador i BE: Administrata publike ka një rol kyç në procesin e integrimit evropian. Duhet të ketë një administratë publike pa korrupsion, transparente dhe llogaridhënëse për të ofruar shërbimet më cilësore për qytetarët dhe bizneset.
Shqipëria ka miratuar një udhërrëfyes realist dhe ambicioz që përcakton hapat më të rëndësishëm që shërbimi civil të jetë në lartësinë e detyrës që e pret. BE nuk po rri ulur e pret që këto reforma të bëhen, por BE po ndihmon në realizimin e tyre. Kemi përmbyllur një projekt trajnimi tremujor në BE të administratës. Një pjesë e tyre ishin nga pushteti lokal. E kemi thënë që 70% e legjislacionit të BE do duhet të zbatohet në nivelin lokal.
Klan News