Kryeministri Edi Rama njoftoi këtë të mërkurë se ndodhet në Abu Dhabi ku do të finalizohet një marrëveshje trilaterale mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Bëhet fjalë për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë e Italisë si dhe rritjen e prodhimit të energjisë diellore në Shqipëri.

“Për pak do të vendosim një tjetër gur kilometrik në rrugën tonë drejt pavarësisë energjetike. Së bashku me kryeministren e Italisë, miken e shtrenjtë Giorgia Meloni, me ftesë të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, një tjetër mik i posaçëm, sheiku Mohammed bin Zayed finalizojmë marrëveshje trilaterale për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë e Italisë si dhe rritjen e prodhimit të energjisë diellore në Shqipëri. Lidhja do të ketë një pronësi të trefishtë dhe do të mbështetet nga investimet domethënëse të përbashkëta në rritjen e kapaciteteve prodhuese të Shqipërisë”, tha Rama.

Sipas Ramës, kjo marrëveshje shkon në funksion të ambicies së qeverisë për t’u bërë të pavarur nga importi si dhe i jep një rol së shpejti Shqipërisë për t’u bërë eksportues në Bashkimin Europian.  

“Shqipëria është sot vendi me kapacitetin më të lartë të vetëprodhuesve familjarë, apo të bizneseve nga energjia diellore në rajon. Energjia e prodhuar nga dielli ka kaluar nga zero përqind në afro 10 përqind të prodhimit tonë të brendshëm energjetik dhe plani ynë është të arrijmë në 30% brenda mandatit tonë të katërt”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon që nuk e rriti çmimin e energjisë gjatë krizës 2022-2023 dhe nga 1 Shkurti vendi “do të bëhet zyrtarisht i vetmi vend europian që ul çmimin e energjisë, jo pak por 10.5%”.

Rama theksoi se me këtë lëvizje qytetarëve u kursehen 31 milionë Euro në vit nga fatura e energjisë elektrike./tvklan.al