“Pa Ibrahim Rugovën nuk do kishte pasur UÇK”, kështu deklaroi sot nga Prishtina kreu i qeverisë Edi Rama. Duke e çmuar figurën e ish-Presidentit të Kosovës, ai theksoi se “dy vendet tona nuk bëjnë dot pa aleatët e mëdhenj ndërkombëtarë”.

Ky si një mësim, që sipas Ramës e ka dhënë më së miri i ndjeri Rugova.

“Pa luftën që ai filloi në paqe, pushkët e UÇK-së nuk do jehonin dot mbi Beograd përmes bombave të NATO-s. Dhe kohë që paqja fiton mbi luftën nuk do kishin ardhur kurrë. Me strategjinë e tij të paqes ai dëshmoi se e para besnikëria ndaj parimeve është mbytëse pa largëpamësinë dhe e dyta paqes së plotë i duhet diçka esenciale më shumë sesa fitorja e luftës me armë. Shikimi i të shkuarës me sytë e të ardhmes. Është shumë për të qarë hallin sot që pas kaq shumë vitesh duket sikur Ibrahim Rugova mbetet i vetmi në këtë shtet që e dinte se të kesh paqe të plotë nuk do të thotë të kesh mungesë konflikti, por të vendosësh një drejtësi afatgjatë brenda dhe jashtë kufijve.

Ai kishte kuptuar dhe e gjithë rruga e tij e rrezaton këtë edhe një të vërtetë që shumëkush e gëlltit ose e refuzon fare. Asnjë popull nuk vlen asnjë lek nëse nuk arrin të bindë kundërshtarët. Paqja vjen me ndërtimin e urave të bashkëpunimit. E në këtë pikë, mësimi i Rugovës është i jashtëzakonshëm. Është mësimi i madh për të gjithë ne sepse na kujton sado të mëdhenj dhe të mbështetur të jemi nga njerëzit tanë, mbetemi një popull i vogël në dy shtete të vegjël që siç thoni ju në Kosovë: Nuk kemi çahre pa miqtë dhe aleatët e mëdhenj”, tha Rama.

E.D/tvklan.al