Në konferencën “Rugova dhe Perëndimi”, i pranishëm ishte dhe kryeministri i vendit Edi Rama. Në këtë 25 vjetor të Çlirimit të Kosovës, ai i dedikoi një fjalë të gjatë me shumë vlerësim ish-Presidentit Ibrahim Rugova.

Duke e cilësuar “Atin themelues të shtetit të lirë”, Rama e konsideron “politikanin më atipik shqiptar”.

Fjala e Ramës:

Njeriu që e ka shenjuar historinë e shqiptarëve me një gjurmë aq dhe të domosdoshme, sintezë e pashoqe e revolucaionarit dhe urtësisë së pushtetasit. Ati themelues i Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike ishte një shqiptar si i dalë nga brinjët malore të historisë tonë. Një intelektual si i nxjerrë nga koleksioni i portreteve të periudhes romantike. Një udhëheqës si i krijuar për të mos u futur dot në asnjë kornizë të gatshme, një figurë që është tejet e vështirë ta përmbledhësh.

Mbetet më atipiku i politikanëve shqiptarë. I papërsëritshëm, i pashpjegueshëm për mënyrën se si arriti t’ju imponojë njerëzve rrugën e ujit të rrjedhshëm që duket sikur rri në vend teksa formon shtratin e vet. Kur në 24 Maj të vitit 1992, ai u vetëshpall President i Kosovës, pati guximin e gjeniut sepse nuk rrezikoi jetën, por diçka më të rëndësishme. Emrin dhe personalitetin! Ishte një akt donkishotesk në sytë e shumëkujt, për mua një akt vetimtari të De Gol kur i vetëm e i përqeshur lëshoi në radio nga Londra mesazhin epokal: pas resë së lotëve tanë, ja ku shfaqet dielli i madhështisë sonë. Si De Gol, edhe Rugovën disa e tallën, shumëkush e injoroi, pothuajse të gjithë e nënvlerësuan dhe të tjerë e ndoqën me një lloj keqardhje.

Nuk besoj se ndonjë në ato fillime e kuptoi vërtet atë që mbase as ai vetë nuk e shihte një rrugë me dalje të sigurtë, por e ndërrmori si një akt në errësirë, i shtyrë nga pamundësia për të qëndruar në vend. Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se në rrugë vdesin njerëzit e mi, shkruan Ibrahim Rugova. Një njeri vetëm dhe i vetëm i cili mes zallamahisë që e rrethonte, i dha popullit të vet një forcë të panjohur ndonjëherë së paku në këtë pjesë të botës ku jetojmë.

Presidenti i shpresës në mes të shtypjes së çdo shprese, kishte jetuar deri aty mes librave. Në rrethana tejet të rënda për Kosovën, ku pasioni për dijen e shkruar u bë trualli i zërit intelektual të popullit të vet. Mes atyre shumë pak syve të kthyer nga Kosova ishin ata që arrinin ta lexonin dhimbjen e Kosovës.

Teksa kjo lagje e Europës mbytej nën renë e gjakut dhe lotëve duke u shpartalluar nga dhuna, qasja e prijësit të Kosovës gërryente me fuqinë e ujit gurin e ndërgjegjies së fuqive të mëdha. Falë sharmit të posaçëm të personalitetit të tij, e vërteta nisi pak nga pak filloi të shquhet si një gur për t’u çmuar në një llum padrejtësie historike.  

Qasja e tij zgjuarsisht e butë përballë një armiku brutal, besimi i tij i palëkundur te arsyeja, e kthyen në një figurë gjsymë ushtarake e gjysmë profetike. Herë hero që shfaqej, herë murg që zhdukej. Në vitet ’90, ndërsa Kosova po përballej me një nga kapitujt e saj më tragjikë, ai themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës, brenda një kinemaje urrejtjeje. Falë personalitetit të tij, pritej në Shtëpinë e Bardhë, në Londër, Romë, nga Papa në Vatikan. Duke e zgjeruar si një përrua shtratin e vet, vëmendjen ndërkombëtare ndaj çështjes së Kosovës, pa rënë kurrë pre e tundimit për t’u ngutur. Gjuha e tij predikonte vetëm durim. Udhëheqja e Rugovës gjatë asaj periudhe pati një aftësi shumë të rrallë për ta lidhur fatin e vendit të tij të panjohur me atë të botës demokratike. Duke i dhënë Kosovës të vetmen pasuri natyrore të patundshme, miqtë e saj ndërkombëtare.

/tvklan.al