Shqipëria do të përfaqësohet me kryeministrin Edi Rama në Konferencën e Tretë Ndërqeveritare dhe në samitin me liderët europianë që mbahen në Bruksel. Vendi ynë do të hapë kapitullin e 6-të me BE-në, i cili përfshin politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Para takimit me kryeministrin Rama, presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa tha se premtimet për anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve të rajonit nuk janë fjalë boshe.
“Integrimi i plotë i shteteve ballkanike në familjen tonë evropiane është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik që ne mund të bëjmë. Të 27 liderët e vendeve anëtare dhe të vendeve të Ballkanit do të mblidhen sërish në Bruksel këtë të mërkurë. E ardhmja e shteteve ballkanike është në BE. Duhet që të jemi seriozë për angazhimet që kemi marrë. Nuk janë fjalë boshe. Ne po investojmë për paqen dhe përparimin për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Ne po investojmë për të ardhmen tonë të përbashkët. Në këto kohë të pasigurta, më shumë se kurrë, ne duhet që të punojmë së bashku”.
Më 15 Tetor, Shqipëria hapi 5 kapitujt e parë të anëtarësimit që trajtojnë çështje themelore si Gjyqësori, të Drejtat Themelore, Drejtësia, Prokurimet, Statistikat, Siguria dhe Kontrollin Financiar. Në këtë ritëm të shpejtë negociatash po vlerësohet roli i institucioneve të pavarura të drejtësisë si SPAK-u në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri Rama synon që procesi i negociatave të përfundojë në vitin 2027, në mënyrë që Shqipëria të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Europian përpara vitit 2030.
Klan News