Partia Socialiste i shton një qëndrim të ri aksioni të saj politik, protestat popullore. Në komunikimin me gazetarët pas një mbledhje me deputetë të grupit kuvendor, kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka lënë të hapur këtë opsion i cili gjithsesi do të paraprihet nga një proces informimi i bazës roze.
Edi Rama: “Sot ne kemi shtruar bashkërisht atë çka do të jetë aksioni ynë politik i cili fillon me kushtëzimin e kuvendit, por pa asnjë dyshim nuk mbaron këtu po përkundrazi do të shtrihet edhe në aspektet tjera. Unë dua të nënvizoj vullnetin tonë të plotë për ta çuar përpara këtë kauzë, si një kauzë që nuk është kauza e një partie politike”.
Rama akuzoi mazhorancën për mungese vullneti për të bërë transparencën e procesit zgjedhor te 28 qershorit. Transparencë që sipas tij do të zbardhte të vërteten e asaj që Rama e cilëson si krim elektoral.
Edi Rama: “Në ato kuti në fakt fshihet mëkati i madh i këtyre zgjedhjeve, në ato kuti në fakt fshihet krimi zgjedhor, në ato kuti në fakt fshihet e vërteta e popullit shqiptar në 28 qershor. Kjo është ajo që Sali Berisha mban peng dhe kjo është ajo që Sali Berisha bashkë me Ilir Metën kërkojnë të lënë në terrin e harresës.
Rama komentoi dhe deklarimin e një dite më parë të ambasadori të OSBE Robert Bosch. Ky i fundit tha se debatet politike bëhen vetëm në kuvend, duke dale hapur kundër vendimit të socialisteve për bojkot. Mbi këtë qëndrim të OSBE-së, Rama bëri këtë argumentim:
Edi Rama: “Dua të theksoj që jam absolutisht dakord që debati bëhet në kuvend në një demokraci normale dhe në një parlament normal. Po s’jemi në kushtet e as të një demokracie normale dhe as një parlamenti normal”./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi