Paraditen e 3 Tetorit Kryeministri Edi Rama iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale nga ekipi i mjekëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Nën drejtimin e Doktor Arben Gjatës u krye me laparoskopi ndërhyrja në hernien inguinale ose dhjamthi që njihet gjerësisht në gjuhën popullore.
Një shqetësim të tillë kryeministri Rama e kishte bërë të ditur në Gusht gjatë inaugurimit të Spitalit Ditor në QSUT.
Bluzat e bardha në QSUT proceduan me metodën e laparoskopisë, pra kirurgji minimale invasive dhe pas rreth 2 orësh e gjithë procedura përfundoi me sukses.
Hernia inguinale apo dhjamthi ndodh kur inde të tilla si një pjesë e zorrëve, dalin përmes një vendi të dobët në muskujt e barkut. Në këtë rast shkaktohet dhe fryrje tek pacienti që mund të jetë e dhimbshme, veçanërisht kur ai kollitet, përkulet apo ngre ndonjë objekt të rëndë.
Tashmë Kryeministri Rama do të qëndrojë për disa orë në spital në survejimin e mjekëve, të cilët më pas vendosin se kur ai do të largohet nga QSUT.
Kujtojmë se më 17 Prill të 2023, Kryeministri Rama iu nënshtrua një operacioni po në QSUT për heqjen e apandesitit akut dhe në atë rast, bluzat e bardha proceduan me metodën e laparoskopisë.
Klan News