Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se shpërblimi i fundvitit për pensionistët, do të shpërndahet që në muajin Dhjetor.

Lajmin e dha nga Bulqiza ku u prezantua projekti “Divizion” për transformimin e një objekti të braktisur dikur në pronësi të ushtrisë.

Duke folur për pensionet, Kryeministri tha se shuma e caktuar do të fillojë të shpërndahet javën e dytë të Dhjetorit.

Kreu i qeverisë u shpreh se pensionistët që marrin pension prej 20 mijë Lekë të reja do të përfitojnë 150 Euro shpërblim, ndërsa ata që marrin mbi 20 mijë Lekë të reja do të përfitojnë 100 Euro.

“Deri përpara dy ose tre vitesh do të ishte e paimagjinueshme, ku 100 milionë Euro do të jepen për pensionistët. Pensionistët që i kanë pensionet deri 20 mijë Lekë të reja do të marrin 150 Euro dhe ata me pensione mbi 20 mijë Lekë të reja do të marrin 100 Euro. Dhe të gjitha këto para do të fillojnë të disbursohen duke filluar nga java e dytë e Dhjetorit”.

Kryeministri foli sërish edhe për shpërblimet e pranverës për pensionistët.

“Ne do të nxjerrim një bonus tjetër që nuk ka qenë më parë për pensionistët, një bonus të pranverës, ku edhe në mandatin e katërt do vazhdojmë ta mbajmë, ku edhe në këtë bonus dhe sasinë e tij, pensionistët do të njihen brenda pak ditëve. Do të marrin edhe informacionin e saktë se sa do të marrin në pranverë, gjatë shpërndarjes së bonusit të Dhjetorit”.

/tvklan.al