Në podcast-in “Flasim” kryeministri  Edi Rama u ndal te informaliteti dhe masat që po ndërmerr qeveria për rritjen e pensioneve. Ndërkohë që theksin e vuri edhe te rëndësia e fuqisë punëtore për bizneset.

“Akoma shumë biznese nuk kanë dashur ta kuptojnë që investimi më i rëndësishëm është te njerëzit që ke në skuadrën e biznesit tënd. Nëse nuk ke atë kapital të sigurt, të patundshëm, të rrofshin dekoret dhe mundimet e tjera, pasi atyre të gjithave iu bie vlera.”

Rama tha se me aksionin antiinformalitet të nisur nga qeveria në të gjithë vendin për të formalizuar tregun e punës, synimi është për të siguruar pensione dinjitoze.

“Nga 2013 deri më sot kemi nxjerrë nga e zeza dhe kemi formalizuar 300 mijë dhe është shumë domethënëse por ka shumë për të bërë, dhe duam të shtyjmë fort këtë moment se kemi marrë vendimin që të hapin një korsi të re për pensionet, të fillojmë me një qasje më agresive për ti dhënë më shumë pensionistëve duke filluar nga bonusi i fundivitit, kemi një plan për një rritje më domethënëse se sa ka qenë rritja nga indeksimi.”

Rama tha se qëllimi nuk është goditja e biznesit, por lufta ndaj informalitetit nuk do të ndalet dhe si ndihmë do kenë dhe Inteligjencën Artificiale.

“Nëse do t’i fshehësh pagat, ke një mijë mënyra. Por me gjithë sa kemi bërë me Inteligjencën Artificiale në fiskalizim, do ta kemi më të lehtë. Nuk duam të rëndojmë biznesin me kontrolle apo goditje, që shpesh bëjnë më shumë dëm sesa fitim. Nuk diskutohet që do ta bëjmë luftën kundër informalitetit. Është proces që nuk mbaron”.

Në skemën e pensioneve janë në total 705 mijë përfitues ndërkohë që pensioni mesatar në vendin tonë është 19 mijë lekë.

Klan News