Edi Rama është ndalur në Kuçovë gjatë një takimi me banorët e këtij qyteti ka prezantuar kandidatët e qarkut të Beratit. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Rama foli për mundësinë që kanë në duar qytetarët në këto momente.
Edi Rama: “Vota e 28 qershorit është e madhe sa ç’është ëndrra jonë për të ndryshuar Shqipërinë duke u ndarë me këto 18 vjet pa mbarim premtimesh, dështimesh e zhgënjimesh. Vota juaj është e jashtëzakonshme sa ç’është sfida jonë përballë varfërisë, papunësisë, korrupsionit, injorancës dhe dhunës. Vota juaj është e rëndë sa ç’është barra jonë për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Prandaj atë votë, votën tuaj të vetme, mundësinë e vetme që demokracia i jep qytetarëve për të vendosur instrumentin tuaj, për t’i hapur rrugë të ardhmes. Mos e ndani me askënd tjetër përveç se me PS dhe votoni për PS.”
Kreu i socialistëve Rama tha gjithashtu se punësimi është themeli i programit të ri socialist dhe se çdo njeri pas 28 qershorit do të ketë të drejtën të jetojë me punë të ndershme në këtë vend.
Edi Rama: “Është koha e një ndryshimi radikal, është koha e një ndarjeje të prerë, është koha e një kapërcimi të madh për t’i dhënë fund të vjetrës në pushtet dhe për ti dhënë jetë një pushteti të së resë. Prandaj unë dua që bashkë me ju të sfidoj historinë e vjetër që një grusht politikanësh e shkruajnë prej 18 vjetësh sipas interesave tyre dhe të hapë një faqe të re, ku së bashku t’i shkruajmë gjërat në 4 vitet e ardhshme sipas interesit të madh të Shqipërisë, të së ardhmes tonë dhe të fëmijëve tanë.”/tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani