Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në ceremoninë e inaugurimit të bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë, u shpreh se rëndësia e saj i tejkalon kufijtë e vendit tonë. Ai theksoi se baza e re është një element i shtuar sigurie për rajonin tonë, i cili është i rrezikuar nga ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse.

“Jam posaçërisht i lumtur sot që një punë e nisur prej shumë kohësh arriti të përfundojë dhe këtu bashkë me ne janë edhe plot miq, partnerë, aleatë, të cilët do doja të falenderoja në mënyrë të posaçme ministrin e Mbrojtjes së Italisë, i cili ka ardhur edhe me disa avionë luftarakë me vete dhe nga ana tjetër do doja të falenderoja miqtë dhe aleatët tanë të paçmueshëm turq të cilët pothuajse 3 dekada e mbajtën gjallë frymën e kësaj baze e cila sot është tërësisht e transformuar dhe e gatshme si një bazë e re taktike e NATO-s me një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, të cilin e dimë mirë se është një rajon jo i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neoimperaliste të Federatës ruse. Rehabilitimi i këtij aeroporti ushtarak është pjesë e ripërtëritjes dhe rritjes së mëtejshme cilësore të flotës tonë ajrore. Dy helikopterët Blackhaëk dhe dronët “Bayraktar” janë pjesë e një rritje që do të vazhdojë”, tha kryeministri Edi Rama.


Kreu i qeverisë falenderoi edhe banorët e zonës për durimin gjatë rindërtimit të bazës. Ai uroi që baza e re të sjellë mundësi të reja për ekonominë lokale.

“Nga ana tjetër dua të falenderoj të gjithë banorët e zonës për durimin që kanë treguar gjatë rehabilitimit dhe rindërtimit të kësaj baze. Uroj shumë që baza taktike NATO-s të sjellë për ta mundësi të reja punësimi si dhe mundësi të reja për të gjithë zinxhirin e shërbimeve duke ndikuar në ekonominë lokale”, tha Rama.  

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë bëri edhe një historik të kësaj baze, kur u krijua nën regjimin komunist.

“Duke parë një pjesë të të pranishmëve që janë këtu si përfaqësues të një gjenerate tjetër, e cila përjetoi të gjitha zhvillimet e përpara ndryshimeve demokratike, po referohem një fragmenti të gazetës Zëri i Popullit në Maj të vitit 1954 kur në Shqipëri erdhi udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik dhe gazeta shkruante se të vdekurit po kërcenin nga gëzimi dhe lulet atë Maj kishin çelur më herët pikërisht për të pritur shokun Hrushov. Është i rëndësishëm ky referim sepse në atë kohë Shqipëria me këtë bazë që rihapim sot konsiderohej një avantpost strategjik i perandorisë sovjektike përballë Europës Perëndimore dhe këtu në Kuçovë ishin sistemuar një numër jo i vogël avionësh bombardues. Po të lexosh planin e deklasifikuar të luftës që qëndronte në sirtarët e Kremlinit, lufta do të niste me bombardimin e Vienës, Shtutgartit, Mynihut, Nurembergut, tre bazave italiane në Padova, Verona dhe Viçenza dhe pjesë e këtij operacioni do të ishin edhe avionët bombardues të bazës së Kuçovës. Sot jetojmë në një kohë tjetër dhe fatmirësisht Shqipëria gjendet në anën tjetër, duke pritur me krenari dhe me respekt aleatët e saj dhe partnerët në një aleancë e cila është në radhë të parë një aleancë vlerash në mbrojtje të paqes dhe demokracisë”, u shpreh Rama.

Për rindërtimin e bazës së Kuçovës u deshën 2 vite punime dhe 50 milionë Euro investim.

Baza e Kuçovës është ndërtuar në vitin 1955, si baza e parë ajrore shqiptare dhe në 20 vitet e fundit ka shërbyer kryesisht për stërvitjen e pilotëve të Forcave të Armatosura. Kthimi në një bazë taktike të NATO-s do t’i japë mjeteve ajrore të aleancës të dislokohen në Kuçovë gjatë operacioneve strategjike në Ballkanin Perëndimor./tvklan.al