Kryeministri Rama gjatë takimit në Selanik ju ka thënë shqiptarëve të Greqisë se nuk janë më ata që ishin kur “i hynë detit më këmbë”. Gjatë fjalës së tij, Rama i ka ftuar të gjithë shqiptarët që të vijnë për të investuar në Shqipëri, teksa ju ka thënë se jo vetëm mund të marrin një pagë të ngjashme, por të paguajnë shumë më pak taksa dhe detyrime se në Greqi.

Edi Rama: Sot nuk jeni më ata që ishit kur i hytë detin në këmbë dhe kapërcyer dallgët e frikshme. Shqipërinë ishin mësuar ta shikonin pa respekt, sot Shqipëria ka shumë gjëra akoma për të bërë, por nga askush nuk shihet më pa respekt. Flamuri i Shqipërisë kishte rënë më poshtë se asnjëherë kur mora detyrën. Vendi ishte në telashe, siguria ishte përtokë, vrasjet kishin arritur në 1 në 3 ditë, rrugët të mbetura rrugëve dhe puna e ndalur prej borxheve që shteti ju kishte kompanive.

Tirana kishte ndalur njësoj si sahati në kohën kur kryetari i bashkisë ja kishte futur gjumit, fshati akoma në keq. Më shumë se gjysma e tokave, djerrë për mungesë uji. Sot realiteti i zymtë është përmbysur në çdo drejtim. Bumi i turizmit, shembulli më kokëfortë. Më e rëndësishme për të ardhmen e të gjithë fëmijëve, është era e re e shtetit që fryn më e fortë, prova që është ftesa e BE për t’u ulur në tryezën e negociatave.  

Të gjithë shqiptarëve që punojnë këtu në Greqi në këtë sektor të turizmit ejani në Shqipëri, ku jo vetëm mund të merrni një pagë të ngjashme, por paguani shumë më pak taksa dhe detyrime në Greqi, por ku jeni në tokën tuaj. Çdo shqiptari që ka një shtëpi të vjetër, të investojë kursimet në agro-turizëm. Nëse investon ato të ardhura për të hapur derën e shtëpisë së vjetër dhe për ta kthyer në një bujtinë, do të ketë prej saj të ardhura më të larta se të ardhurat nga puna në Greqi.


/tvklan.al