Gjatë fjalës së tij në Parlament, ku po diskutohet draft-rezoluta antikorrupsion, kryeministri Edi Rama foli dhe për punën e SPAK.
Sipas tij, lufta ndaj korrupsionit prej vitesh ka çuar zyrtarët e lartë para drejtësisë. Ritheksoi mbështetjen e plotë ndaj strukturës antikorrupsion.
“Kjo draft-rezolutë është çfarë i duhet Republikës së Shqipërisë për të mbështetur anëtarësimin në BE. Kjo nismë nuk ka të bëjë me komentet që janë bërë me burime të ndryshme, janë fantazuar qëllime të fshehta apo është propaganduar se ne qenkemi kujtuar pas 10 vitesh të luftojmë korrupsionin. Jo! Ne jemi në luftë me korrupsionin prej 10 vitesh. Bashkë me SPAK-un që do ketë mbështetjen pa kushte të kësaj shumice. SPAK-u është ilaçi i hidhur që o e pi, o vdes. Dhe kush e pi njëherë po, e njëherë jo. Jo që nuk ka shans të vetëpastrohet, por zgjat agoninë e vet dhe tretet siç po treteni ju te rrugica e shpresës.
Pikërisht se ne jemi futur në luftë me korrupsionin, ka ndodhur dhe transformimi rrënjësor i shërbimit publik bashkë me radhët e pafundme të bakshisheve të përhershme deri për një certefikatë lindjeje. Ngjitja e Shqipërisë nga vendi i fundit në të parin në pikëzimin rajonal në këtë fushë. Prandaj ka ndodhur dhe çelja e negociatave për anëtarësim në BE.
Edhe proceset penale për zyrtarët e të gjitha nivelet, me hetimet, akuzat, dënimet e tyre ndodhi sepse lufta është e vërtetë, serioze dhe pa kthim. Kush rri e numëron, u thirr ky, u dënua ky e u dënua ai, duke e kthyer opozitën politike dhe mediatike në një llogore baltosjeje se do na e kthejnë popullin kundër…
Thjesht do zhytet vetë përditë në atë baltë, do zvogëlohet nga pafuqia dhe do nxihet nga mëria. Sot nuk do kishte asnjë zyrtar para drejtësisë, siç nuk pati kurrë asnjë nga viti 1912 e deri para pak vitesh. Ose nuk duan ta pranojnë se është kthyer rrota e historisë ose s’kanë forcë ta besojnë se Shqipëria po bëhet nga ne.“
/tvklan.al