Kryeministri Edi Rama ka reaguar për letrën që Presidenti Ilir Meta i dërgoi Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varheji, në të cilën akuzon mazhorancën se kërkon të kapë Gjykatën Kushtetuese.
Kreu i qeverisë thotë se ndodh për herë të parë që Presidenti i një shteti dërgon letra në zyrat e Bashkimit Europian kundër vendit të tij.
Sipas Kryeministrit, kjo gjë ndodh për shkak të veprimit të Reformës në Drejtësi.
“Për herë të parë që nga krijimi i Bashkimit Europian një president çon letra në Bruksel për të minuar urën mes Europës e vendit të tij! Për herë të parë në historinë e zgjerimit të BE një vend kandidat ka Brukselin pro dhe Presidentin e vet kundër vendit e kundër vetë Brukselit. Sa nisi terapia intensive e Reformës në Drejtësi nisi dhe reaksioni me temperatura të larta në organizmin e shtetit të sëmurë prej kancerit të korrupsionit! Përpëlitjet e ethshme me bojkote, molotovë, dekrete janë thjesht pasoja të intensitetit të terapisë mbi kancerin. Shqipëria mund ta marrë mund të mos e marrë PO-në që meriton nga Këshilli Europian, po ama kurimi deri në fund i sëmundjes dërrmuese që i ka ngrënë trupin e shpirtin prej 30 vjetësh, as mund dhe as do ndalet dot me kriza të turpshme të provokuara nga terapia e Reformës në Drejtësi”, shkruan Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al