Kreu i selisë rozë zhvilloi një takim elektoral në qytetin e Laçit. Gjatë fjalës së tij kryesocialisti Rama u ndal tek 28 qershori duke e cilësuar atë si ditën kur demokratët dhe socialistët duhet të bashkohen për fatet e këtij vendi.

Edi Rama: “Në 28 qershor nuk është dita për të menduar për flamujt e partive, nuk është dita për të menduar për ndasitë mes njëri tjetrit, nuk është dita për të menduar se kush është demokrati e se kush është socialisti. Këtu në Laç, në Kurbin e në fshat ku njësoj si socialistët, si demokratët vuajnë nga papunësia, vuajnë nga varfëria, vuajnë nga korrupsioni, vuajnë nga mungesa e librave të fëmijëve, vuajnë nga mungesa e ndihmës ekonomike, por është dita për të menduar si të bëhemi bashkë duhet ta çajmë rrethimin e politikës së vjetër për të shkuar drejt një Shqipërie evropiane.”

Duke folur mbi bashkimin e qytetarëve Rama tha, se më 28 qershor nuk do të humbin qytetarët demokratë por sipas tij klasa e pushtetarëve.

Edi Rama: “Në 28 qershor nuk do të humbasin qytetarët e thjeshtë dhe të ndershëm demokratë, por do të humbas një grusht pushtetarësh të korruptuar që kanë uzurpuar ëndrrat dhe shpresat e demokratëve dhe të socialistëve, që kanë abuzuar me besimin e pakufishëm të demokratëve dhe që kanë punuar 4 vjet me radhë për një familje të vetme, për shërbëtorët dhe për klientët e kësaj familjeje.”

Në përfundim Rama i bëri apel qytetarëve për lënien pas paragjykimeve dhe flamujve të partive.

Edi Rama: “Është koha të çlirohemi nga paragjykimet, është koha  t’i kapërcejmë hendeqet që ka hapur kjo politikë e vjetër mes nesh. Është koha që ta shohim njëri tjetrin socialist e demokrat si bashkëqytetarë, si njerëz që jetojnë në një qiell mbi të njëjtën tokë dhe që kanë vetëm një flamur, flamurin e Shqipërisë që duhet ta ngrenë lart e më lart për ta çuar Shqipërinë në Evropë.”

Rama: Ne do të transformojmë qeverisjen

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka vijuar takimet e tij elektorale ne disa lagje të kryeqytetit si në kodrën e Priftit, Sauk, Shkoze dhe në njësinë numër 2. Gjatë takimeve Rama ka vënë theksin tek domosdoshmëria e një qeverisje qendrore me një vizion të ri. Kryesocialisti deklaroi se shumë probleme që në dukje janë probleme lokale janë në të vërtetë probleme qeveritare, të cilat pa ndryshuar qeverisjen nuk mund të zgjidhen.

Edi Rama: “Arsyeja pse unë kam vendosur që të jem në këtë garë dhe që të kandidojë për të qenë kryeministri i Shqipërisë, duhet ta besoni lidhet në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë edhe me të gjitha ato pamundësi që unë kam konstatuar në vite si kryetari i bashkisë së Tiranës në nivelin lokal. Duke kuptuar që shuam nga ato probleme që janë në dukje lokale, në fakt janë probleme që kanë të bëjnë me politikën kombëtare. Shumë nga ato probleme që janë në dukje probleme komunitare janë në fakt probleme që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me politikën qeveritare dhe pa pasur mundësinë që të transformojmë politikën kombëtare,  politikën qeveritare, politikën që bën në çdo sektor qeveria ne nuk mund të zgjidhim dot problemin me karakter lokal.”

Para banoreve të zonave informale Rama ka premtuar pasqyrimin e modelit të suksesit të Tiranës në të gjithë vendin.

Edi Rama: “Këto 3 gjëra, e para legalizimet ne do t’i kryejmë brenda mandatit tonë të parë dhe do t’i japim fund ankthit të të gjithë atyre njerëzve të ardhur apo që janë këtu prej kohësh, të cilët kanë ndërtuar me gjak një strehë për familjen e tyre të varfër. E dyta ne do t’i japim fund etjes së Tiranës dhe do të kemi 24 orë ujë në të gjithë qarkun e Tiranës dhe e treta në 4 vitet e ardhshme do të bëhen për Tiranën aq sa nuk kemi bërë në këto 8 vite që në fakt kanë qenë 8 vitet e një pune model dhe një transformimi që e ka zili e gjithë Shqipëria. Do ta rrezatojmë modelin e Tiranës në të gjithë Shqipërinë dhe për Tiranën do të bëjmë shumë më tepër.”

Gjate takimeve që kreu i selisë roze ka patur me banoret ai i ka kërkuar të mos mashtrohen për herë të dytë.

Edi Rama: “Kur më gënjen herën e parë e ke ti fajin që më gënjen, jo un që të besoj. Kur më gënjen herën e dytë, e ke prapë ti fajin që më gënjen, po kam faj edhe unë që të besoj. Kur më gënjen herën e tretë, ti s’ke asnjë faj, faji është komplet i imi. Kush do të gënjehet për herën e tretë nga Sali Berisha, jo do t’ju legalizoj, jo do të ju çoj në parajsë, nuk e ka më fajin   Sali Berisha e ka fajin ai që gënjehet./tvklan.al