Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka vijuar takimet e tij elektorale në disa lagje të kryeqytetit si në Kodrën e Priftit, Sauk, Shkozë dhe në njësinë numër 2. Gjatë takimeve Rama ka vënë theksin tek domosdoshmëria e një qeverisje qendrore me një vizion të ri. Kryesocialisti deklaroi se shumë probleme, që në dukje janë probleme lokale janë në të vërtetë probleme qeveritare, të cilat pa ndryshuar qeverisjen nuk mund të zgjidhen.

Edi Rama: “Arsyeja pse unë kam vendosur që të hyjë në këtë garë dhe që të kandidojë për të qenë kryeministri i Shqipërisë, duhet ta besoni lidhet në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë edhe me të gjitha ato pamundësi që unë kam konstatuar në vite si kryetari i bashkisë së Tiranës në nivelin lokal. Duke kuptuar që shuam nga ato probleme që janë në dukje lokale, në fakt janë probleme që kanë të bëjnë me politikën kombëtare. Shumë nga ato probleme që janë në dukje probleme komunitare janë në fakt probleme që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me politikën qeveritare dhe pa pasur mundësinë që të transformojmë politikën kombëtare,  politikën qeveritare, politikën që bën në çdo sektor qeveria ne nuk mund të zgjidhim dot problemin me karakter lokal.”

Para banoreve të zonave informale Rama ka premtuar pasqyrimin e modelit të suksesit të Tiranës në të gjithë vendin.

Edi Rama: “Këto 3 gjëra, e para legalizimet ne do t’i kryejmë brenda mandatit tonë të parë dhe do t’i japim fund ankthit të të gjithë atyre njerëzve të ardhur apo që janë këtu prej kohësh, të cilët kanë ndërtuar me gjak një strehë për familjen e tyre të varfër. E dyta ne do t’i japim fund etjes së Tiranës dhe do të kemi 24 orë ujë në të gjithë qarkun e Tiranës dhe e treta në 4 vitet e ardhshme do të bëhen për Tiranën aq sa nuk kemi bërë në këto 8 vite që në fakt kanë qenë 8 vitet e një pune model dhe një transformimi që e ka zili e gjithë Shqipëria. Do ta rrezatojmë modelin e Tiranës në të gjithë Shqipërinë dhe për Tiranën do të bëjmë shumë më tepër.”

Gjatë takimeve që kreu i selisë roze ka patur me banorët ai i ka kërkuar të mos mashtrohen për herë të dytë.

Edi Rama: “Kur më gënjen herën e parë e ke ti fajin, që më gënjen, jo un që të besoj. Kur më gënjen herën e dytë, e ke prapë ti fajin që më gënjen, po kam faj edhe unë që të besoj. Kur më gënjen herën e tretë, ti s’ke asnjë faj, faji është komplet i imi. Kush do të gënjehet për herën e tretë nga Sali Berisha, jo do t’ju legalizoj, jo do të ju çoj në parajsë, nuk e ka më fajin Sali Berisha e ka fajin ai që gënjehet./tvklan.al