Ish-rektorin e universitetit BOKU të Vjenës, Hubert Hasenauer e solli në Shqipëri një urë miqësie e ngritur në mënyrë të befasishme me Kryeministrin Rama që vetë e përshkroi të tillë në podcast-in e tij të radhës me të ftuar edhe rektori i UBT-së dhe Dajana, studente e këtij universiteti.
Ky i fundit prej vitit 2024 me Univesitetin Boku të Vjenës ka lidhur një marrëveshje për transformimin dhe modernizimin e tij.
Por para se të arrihej kjo, Rama kujtoi momentin kur u takua me profesor Hubert në shkallët e BOKU.
“Ju ishit atje duke më parë e menduar: Ç’duhet të bëj me këtë kryeministër të çuditshëm që ka hyrë në derën e BOKU-së”, tha Rama.
“Më duhet t’ju them nuk isha fort i sigurt se do shkonit deri këtu. Jam shumë i befasuar nga sa rrugë ka bërë ky projekt”, tha Hasenauer.
Bashkëpunimi mes dy universiteteve vlerësohet se është në fazë intensive, ndërsa pas fokusit tek riorganizimi i mësimdhënies, hapi i radhës do të jetë kërkimi shkencor.
“Në seminarin tonë për kompetencat kuptuam që potenciali kërkimor është shumë i lartë”, tha Hasenauer.
Me transformimin e universitetit sipas modelit të BOKU-s, UBT vjen ndryshe.
“Çështja është të sigurohemi që në 2030 të kemi një UBT me imazh të ri. Praktikisht ishte lënë peng i ndërtimeve të paligjshme në kompleksin e tij dhe i një amullie dhe i një rënie drastike të emrit të vet”, tha Rama.
Universitet Boku është një ndër më prestigjiozët e Europës, një universitet që mbulon gjithë spektrin e studimeve mbi bujqësinë, zhvillimin rural, zhvillimin e qëndrueshëm si dhe mjedisin.
Tv Klan