Kryeministri e ka kthyer në një praktikë ditore replikimin me ndjekësit e tij në rrjetet sociale. Sot edhe pse është në samitin e Davos ai zgjodhi t’i kthej përgjigje një qytetari që e akuzon qeverinë se po bën investime luksi vetëm për turistët e huaj duke e kthyer Shqipërinë në një vend vetëm për të huaj dhe çdo ditë e me pak të jetueshme për shqiptarët.
“Shqipëria për të huajt edhe pak për shqiptar’, po mirë vërtetë e ke? Po mirë këta të huajt kur vijnë këtu e marrin ushqimin me vete apo hanë në tryezat e shqiptarëve, vijnë me krevat në krahë apo flenë në hotelet, bujtinat dhe shtëpitë e shqiptarëve. Dhe tjetra se kjo është çudi e madhe kur thuhet se shqiptarët nuk bëjnë turizëm, ose në Korçë s’ka shqiptar të tjerë përveçse disa që vijnë nga Tirana”, tha Rama.
Rama e përgënjeshtron akuzën për keqqeverisje që nuk mbështet sektorët që sjellin vërtetë fuqizim të buxhetit dhe pasurim të shqiptarëve. Duke ju referuar disa shifrave të INSTAT-it, Rama thotë se një pjesë e mirë e familjeve shqiptare janë në gjendje të mirë ekonomike, pasi kanë mundësi të pushojnë dhe të mbushin bujtinat dhe hotelet vendase, jo vetëm gjatë pushimeve vjetore, por dhe çdo fundjavë.
“Sipas INSTAT, 979, 456 rezidentë shqiptar kanë qenë pushues në hotele dhe bujtinat gjatë 2024 dhe këtu nuk futen ata që kanë rezidenca dytësore. Ata që se duan qeverinë përdorin argumentin se unë qenkam jashtë realitetit dhe realiteti qenka s’ka rrugë, s’ka drita s’ka ujë. Nuk e di po inati politik e bëka njeriun të verbër dhe shurdh, tamam tifoz futbolli, sidoqoftë dielli nuk mbulohet me shosh dhe shqiptarët që punojnë dhe i shohin gjërat e bëra me punë dhe me luftë i kanë të qarta”, tha ndër të tjera Rama.
Tv Klan