Debati për shkurtimin e numrit të punonjëseve nga struktura e propozuar për 3 komisionet e Vettingut është zhvendosur nga komisionet parlamentare në grupin socialist.
Komisioni i ligjeve e miratoi vetëm me votat e mazhorancës strukturën e komisioneve me 113 punonjës, nga 183 të kërkuar dhe po ashtu vendosi paga të ndryshme nga propozimet.
Kryeministri Rama garantoi mbështetje, por jo për kërkesa abuzive.
“Asnjë tejkalim i kotë dhe abuziv nuk mund të pranohet.”
Por ish Ministri i Brendshem, Sajmir Tahiri ashtu si dhe ne komisionin e ligjeve pati një tjetër qëndrim.
“Kur këto institucione na thonë që sot që nuk bëjnë dot detyrën, nesër çfarë do të thonë? Se di, ndoshta duhet parë me pak fleksibilitet nga ana jonë dhe ndoshta nga Ministria e Financave.”
Përgjigjen Tahiri e mori nga Ministri i Financave, Arben Ahmetaj.
“Ftoj Saimirin që të ulet me mua dhe të shikojë detajet, që edhe ai të dalë i qetë që ne i kemi dhënë mbështetjen maksimale strukturës nga ana financiare”.
Debati u zhvendos në një tjetër pikë teksa kryetari i Komisionit te Ekonomise, jo pak i acaruar, tërhoqi vëmendjen për mos-diskutimin e draftit në komisionin që drejton.
“Kësaj radhe u tejkalua, unë do ju kërkoj që herë tjetër të mos ndodhë më që vendime të tilla të mos kalojnë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.”
Për ta qetësuar, Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm i kujtuan se është në transmetim Live.
Grupi socialist diskutoi edhe për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore ne seancën e së enjtes, dhe propozoi si bashkëkryetar Blendi Çuçin.
Kryeministri i kujtoi Partisë Demokratike se nuk do të pranojë kushte dhe se baza e bashkëpunimit mund të jetë marrëveshja e 18 Majit.
“Boshti i dialogut është Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Në zgjatimin e këtij boshti, është e mirëpritur edhe opozita tjetër.”
Në mbledhje u nënshkrua dhe marrëveshja e mirëkuptimit mes ministrave dhe deputetëve socialistë dhe u vendos që takimet e tjera të zhvillohen çdo të martë në kryesinë e Kuvendit e të transmetohen Live. /Tv Klan