Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është ndalur në Vlorë, ku prezantoi kandidatët e selisë rozë që do të garojnë për deputetët në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.

Gjatë tubimit të udhëhequr nën moton “Politikë e re për ndryshim” kryesocialisti ritheksoi angazhimin e tij se qeveria e pas zgjedhjeve do të jetë e qytetarëve dhe për qytetarët. Për numrin një të selisë rozë, vëmendja ndaj problematikës që shqetëson sot fshatin shqiptar, shërbimin shëndetësor, e atë arsimor do të jenë prioritet e ekzekutivit të ri socialist.

Sipas Ramës qeveria e pas 28 qershorit do të punojë për të gjithë shqiptarët, duke përmbushur njëkohësisht theksoi ai, një tjetër premtim të pa realizuar ende, atë të lëvizjes së lirë në Bashkimin Europian.

Edi Rama: “Nuk iu premtoj, po angazhohem se me fitoren e 28 qershorit do të fitojmë edhe lirinë e lëvizjes për çdo shqiptar e shqiptare në të gjithë territorin e Shqipërisë për të hyrë dhe për të dalë lirisht nga vendi ynë në mes të Europës.”

Misioni i socialistëve tha Rama është që të nxjerrë politikën nga llogoret e përbaltjes, dhe interesave personale, drejt një bashkimi të ri, përtej së majtës dhe së djathtës.

Edi Rama: “Nuk jam këtu për të shkuar në qeveri me disa të tjerë dhe për të lënë pastaj të vazhdojë e njëjta shfaqje që ju shikoni prej 18 vjetësh. Jam këtu për të ndryshuar bashkë me ju avazin e vjetër dhe për t’i dhënë fund kësaj shfaqje. Duke ju thënë se nuk dua të bëhem kryeministri i Shqipërisë për tu ulur në një karrige më të lartë, por dua të behëm kryeministri i Shqipërisë për ta sjellë qeverinë poshtë tek ju, për ta bërë qeverinë fuqinë tuaj të ndryshimit. Për t’i dhënë qeverisë forcën e ëndrrave, të shpresave dhe të halleve tuaja.”

Duke i ftuar vlonjatët që të votojnë alternativën e majtë, Rama tha se ka ardhur koha ti jepet fund politikës së vjetër./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro