Kryeministri mbledh në takim ambasadorët
Kryeministri Edi Rama mblodhi në një takim në Pallatin e Brigadave ambasadorët e huaj që ndodhen në vendin tonë. Ai i falenderoi ata për mbështetjen që kanë treguar pas situatës së krijuar nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij kërkoi që vlerësimi i ndërtesave të prishura të asistohet edhe nga miqtë ndërkombëtarë. Sipas kryeministrit, kjo do u japë siguri dhe besim familjeve të dëmtuara që të kthehen në banesa.
“Kemi nevojë të punojmë sëbashku sepse ka disa shtresa të kësaj. Na duhet që të kemi ekipet dhe sot në mëngjes më thanë që shumë ministra duke filluar nga ai holandez, hungarez e të tjerë kanë qenë të gatshëm të perceptojnë menjëherë nevojën për të pasur këto ekipe ekspertimi. Kemi pasur një reagim pozitiv nga Gjermania për ato që po nisim të kërkojmë. Do të jetë thelbësore psikologjikisht për popullin shqiptar që vlerësimi i ndërtesave të kryhet me katër sy. Dy sy shqiptarë dhe dy sy të miqve ndërkombëtare sepse kjo ka të bëjë me besimin, ka të bëjë me garancinë. Ndërtesat janë të shkatërruara por nuk janë të gjitha kështu. Disa kanë çarje, plasaritje, por nuk janë strukturore dhe këto mund të ndërtohen shpejt, por kush ka besim të hyjë në një ndërtesë me fëmijët, të vjetrit kur ka kaluar këtë lloj ankthi. I duhet një vulë, një vendim. Shpresoj të bëhet shpejt. Ne shpresojmë që ta bëjmë shpejt”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi prezencën e miqve ndërkombëtare edhe në Komitetin Kombëtar të Rindërtimit.
“Ju lutem, ju lutem, ju lutem, na ndihmoni dhe na jepni të gjithë dijet më të mira që keni për këtë. E di që paratë janë thelbësore, por dija është themelore për t’i shpenzuar këto para në mënyrën më të mirë”, tha Rama, i cili shtoi se “njerëzit po kontribuojnë me zemër plot dhe nuk mund të lejojmë që ky proces të prishet nga mungesa e transparencës, abuzivizmi dhe korrupsioni. Kjo është arsyeja pse na duhet ndihmë për të krijuar këtë mekanizëm transparence”./tvklan.al