Kryeministri Edi Rama në një fjalim mbi një orësh përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë që të rrëzojnë rezolutën e miratuar 11 vjet më parë, mbi bazën e raportit te Dick Marty-t.
Për Ramën ky raport është një fantazi e pastër, e mirë fabrikuar në Kremlin dhe në mënyrë shumë inteligjente e trafikuar e kontrabanduar në kanalet e politikës ndërkombëtare dhe e sjellë këtu në tempullin e të drejtave të njeriut.
“Ju bëj thirrje që të rrëzoni akuzat kundër Kosovës. Ju bëj thirrje që të pranoni kërkesën e Shqipërisë për miratimin e një rezolute që kërkon një raport vijues lidhur me akuzat e paprovuara, të turpshme të trafikimit të organeve nga anëtarët e Ushtrisë heroike Çlirimtare të Kosovës, një krim që kurrë nuk është kryer dhe kurrë nuk duhet të ishte atribuuar. Kjo nuk është as për hir të Kosovës e as për hir të Shqipërisë që ju duhet ta miratoni këtë rezolutë, është për nderin tuaj dhe besueshmërinë tuaj”.
Rama foli dhe për akuzat e ashtuquajtura për trafikim organesh dhe Shtëpinë e Verdhë.
“Vetë fshati që ndodhet në një zonë shumë të largët në veri të Shqipërisë që aso kohe, dëgjojeni, ishte i izoluar nga furnizimi me energji elektrike dhe me ujë të pijshëm, si edhe nga rrugët e asfaltuar. Imagjinojeni. Ju kërkoj ndjesë që po ju ftoj në këtë përfytyrim të tmerrshëm. Po imagjinojeni të heqësh organe pa energji elektrike, pa ujë e pa rrugë transporti e lërë më pas, pajisjet e specializuara e kështu me radhë”.
Ai e krahasoi ish-presidentin Hashim Thaçi me presidentin ukrainas Volodymir Zelenksi.
“Duke menduar për atë çka ju thashë më parë, përpiquni të përfytyroni presidentin Zelensky 10 vjet më pas, që bëhet pjesë e diçkaje kaq surreale saç është presidenti Thaçi sot sepse Kremlini dhe Moska tanimë ka nisur të thotë se ka trafikim. Kështu që, jini të përgatitur për këtë”.
Kryeministri Edi Rama ftoi Asamblenë që të njohë Kosovën me emrin e saj real dhe ta pranojë në Këshillin sa më për atë si shtet të pavarur.
“A nuk do të ishte një mrekulli nëse ju këtu në këtë Këshill të nderuar, të nisnit tu mësonit edhe të tjera organizmave institucionale të politikës ndërkombëtare ta shqiptojnë e ta shkruajnë Kosovën me emrin e vet të vërtetë e zyrtar, Kosova! Jo Kosovo, Republika e Kosovës!”
Për sa i përket qëndrimeve të shumta në Asamble të përfaqësuesve serbë, rumunë, grekë e zviceran për fjalimin e mbajtur, Rama deklaratat për mediat, i cilësoi si normale.
“Do ta ndjenja si indeferencë. Fakti që pati kaq debat tregoi se mesazhi shkoi në thellësi. Gjëja është më e rëndë se sa thashë unë. Është si një bombë në mes të megjelisit. Është gatuar një çorbë. Kjo historia për trafikimin e organeve shkon përtej Hashim Thaçit”.
Pas paraqitjes së kërkesës zyrtare të Shqipërisë për rishikimin e rezolutës së miratuar për raportin e Dick Marty-t, Asambleja e Këshillit të Europës pritet ta shqyrtojë në sesionin e janarit të vitit të ardhshëm.
Tv Klan