Ish-kryeministri kosovar, kryetar aktual i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, zoti Ramush Haradinaj, ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare, e parë kjo pas lirimit të tij nga burgu i Hagës.
Gjatë paradites Haradinaj është pritur në takime të njëpasnjëshme nga kryeministri Berisha, Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.
Në takimin Berisha-Haradinaj është folur mbi zhvillimet pozitive të ndodhura gjatë këtij viti si në Shqipëri, ashtu edhe Kosovë.
Marrja e ftesës së vendit tonë në NATO dhe shpallja e pavarësisë dhe më pas njohja e shtetit të ri kosovar nga shumë shtete të botës janë vlerësuar si arritje për të dy qeveritë.
Berisha dhe Haradinaj kanë folur dhe për projektet ekonomike që do të marrin jetë mes dy shteteve shqiptare.
Mbi të njëjtat tema është fokusuar dhe takimi me Ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, dhe kryerepublikanin Mediu.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës zoti Haradinaj ka falënderuar të tre bashkëbiseduesit për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Kosovës në rrugën e pavarësisë./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka