Ecuria negative është hedhur pas krahëve te Brazili. Selecao ka shënuar fitoren e dytë radhazi për të hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në Kupën e Botës së vitit 2026.

5 herë kampionët e Botës triumfuan pastër 4-0 kundër Perusë për tu ngjitur në vendin e katërt në renditje. Dy penallti të shndërruara në gol nga ana e Rafinjës i dhanë avantazhin e dyfishtë brazilianëve.

Një epërsi që ia bëri të lehtë menaxhimin, teksa shënuan edhe dy herë të tjera. Fillimisht Pereira realizoi pas asistit të Luiz Henrique, me këtë të fundit që mbyllli edhe llogaritë me golin e katërt. Një 3 pikësh që i jep siguri Brazilit dhe tashmë çështja e kualifikimit në Botërorin e pas dy viteve nuk vihet në rrezik.

Fitore me përmbysje 2-1 regjistroi Paraguaj në shtëpi kundër Venezuelës. Ishin këto të fundit që kaluan të parët në avantazh, gjithsesi Sanabria në të dytën shënoi dy herë për t’i dhënë 3 pikë me tepër vlera paraguajanëve.

Kili pëson humbjen e shtatë dhe rrezikon seriozisht mbetjen jashtë Botërorit. Humbja 4-0 ndaj Kolumbisë i lë në vendin e fundit, teksa kolumbianët konfirmohen të dytët.

Në barazim pa gola përfundoi sfida mes Uruguajt e Ekuadorit, me dy kombëtaret që për momentin janë në zonën e kualifikimit në Botërorin e ardhshëm.

Klan News