Bashkimi Europian ka nevojë për reforma radikale dhe për një plan të dytë Marshall në mënyrë që të frenojë rënien e shpejtë dhe të vijojë të ekzistojë.
Kështu deklaroi ish-kryeministri italian, Mario Draghi në paraqitjen e raportit mbi 300 faqesh me 170 propozimet e tij me prani të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Raportin parashikon nxjerrjen e një Eurobondi të një borxhi të ri deri në vlerën 800 miliardë eurove, më shumë se dyfishi i planit Marshall që Europa mori për rimëkëmbjen pas Luftës së Dytë Botërore.
“Fati me të cilin përballet Europa nëse nuk ndërhyn në mënyrë adekuate është ai i agonisë së ngadaltë. Duhet një ndryshim rrënjësor që BE të vazhdojë të ekzistojë. Evropa duhet te investojë më shumë se sa në rindërtim e pas luftës së dytë botërore. Ne duhet të braktisim iluzionin se vetëm zvarritja mund të ruajë konsensusin. Zvarritja ka prodhuar vetëm një rritje më të ngadaltë dhe sigurisht që nuk ka arritur më shume konsensus”.
Ai tha se Europës i duhet një fond për të financuar nevojat e saj industriale dhe të mbrojtjes, diçka që kundërshtohet nga disa qeveri. Sakaq vuri në dukje se qëllimi i Europës për të ulur në zero emetimet e gazeve të saj serrë nga mesi i shekullit i ofron bllokut mundësinë për të ndërtuar dhe eksportuar teknologji të pastra në mbarë botën.
Draghi dikur ka drejtuar Bankën Europiane Qendrore dhe është një nga ekonomistët më të mirë. Raporti u hartua pas kërkesës së Komisionit Europian për vizionin e tij për sfidat e ardhshme dhe pritet t’i paraqitet liderëve të BE-së.
Tv Klan