Shqipëria do të vijojë të njohë një rritje ekonomike pavarësisht krizës që ka gjunjëzuar pjesën më të madhe të ekonomive botërore. Konfirmimi vjen nga institucioni më prestigjioz në analizat ekonomiko financiare, Fondi Monetar Ndërkombëtar, projeksionet më të fundit të se cilit e rendisnin Shqipërinë në krye të kontinentin, përsa i takon rritjes ekonomike për këtë viti. Në fakt, ekonomitë e vetme në Europë që do të njohin rritje në 2009, sipas FMN-s janë Shqipëria dhe Qiproja.
Parashikimi i FMN-së i adreson Shqipërisë një rritje ekonomike në nivelin 0,4 %, në një kohë kur pjesa tjetër e Europës është zhytur në recension të thellë, mjafton të përmendim që vende të tilla si Gjermania ka një rënie -5.6%, Italia me -4.4%, Franca me -3%, Anglia me -4.1%, por edhe vendet e rajonit, Maqedonia si -2%, Mali i Zi -2.7%, Greqia me -0.2% dhe Kroacia me -3.5%.
Ndërsa nivelin më të lartë të rënies ekonomike do ta njohin Estonia, Letonia apo Lituania nga 10 deri 12 %. Për të arritur në këto parashikime fondi monetar ka ndjekur nga afër ecurinë ekonomike, gjatë muajve të pare të këtij viti. Megjithëse, rritja ekonomike për Shqipërinë është korrigjuar muajt e fundit, ajo rezulton të jetë më e larta në Europë.
Ekonomia reale në Shqipëri ka vijuar të njohë rritje të qëndrueshme vitet e fundit. Sipas FMN-së në vitin 2007, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 6,3%, ndërsa në 2008 me 6.8%.
Kjo rritje është mundësuar nga politikat pro biznes të ndërmarra nga qeveria, të cilat kanë nxitur aktivitetin ekonomik në vend. Nisma më e fundit e ndërmarrë nga qeveria, e përkrahur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar por e kundërshtuar nga opozita, ishte kredia prej 250 milion eurosh e siguruar ditët e fundit nga bankat ndërkombëtare, çka krahas valutës së siguruar nga privatizimet, do ti jap ekonomisë shqiptare likuiditetin e nevojshëm për të siguruar stabilitet dhe një ecuri pozitive gjatë këtij viti, ashtu siç ka parashikuar edhe FMN në raportin e saj më të fundit. Po kështu, FMN parashikon një rritje progresive të ekonomisë shqiptare dhe për periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2014, ku niveli i rritjes ekonomike mendohet të shkojë në 6%./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro