Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Klotilda Bushka ka dhënë një deklaratë për mediat pas publikimit të opinionit të Komisionit të Venecias lidhur me mandatin e deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka.
Bushka thotë se bazuar në opinionin e Komisionit të Venecias, është e qartë se pikëpyetjet në lidhje me votimin për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastin në fjalë kanë qenë të drejta dhe të bazuara në argumenta tërësisht kushtetuese dhe ligjore.
Ajo shton se Komisioni i Venecias vë ekuilibrin mes respektit të ndërsjelltë, midis nevojës për të pasur të drejtë deputetët që të votojnë të lirë dhe detyrimin për të zbatuar vendime të qarta të Gjykatës Kushtetuese. Bushka thekson se nuk ka pasur asnjë krizë kushtetuese për një situatë që kërkonte zgjidhje kushtetuese.
Klotilda Bushka: Bazuar në opinionin e Komisionit të Venecias, e qartë se pikëpyetjet në lidhje me votimin për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastin në fjalë kanë qenë të drejta dhe të bazuara në argumenta tërësisht kushtetuese dhe ligjore dhe ato lidhen me integritetin e autonomisë parlamentare, të drejtën e pakicës parlametare që t’i drejtohet direkt Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit, rolet kushtetuese të Kuvendit sipas përcaktimeve në ligj dhe në kushtetutë. Ky proces, përfshirë marrjen e opinionit në Komisionin e Venecias, pati një karakter teknik dhe u trajtua nga ne në argumenta juridikë.
Ne besojmë se një vendim gjykate, nuk mund të bëhet objekt i diskursit politik dhe koha na dha të drejtë. Ashtu si nënvizon Komisioni i Venecias, Kuvendi e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka qëllim të mos i zbatojë. Këto vendime duhet të jetë të tillë që Kuvendi të jetë në gjendje që t’i zbatojë. Tashmë është e qartë se Kuvendi e dërgon çështjen në Gjykatën Kushtetuese vetëm kur vlerëson se deputeti përdor pasuri publike apo përfiton prej saj.
Gjykata Kushtetuese në rolin e vet ka kompetencën e interpretimit të Kushtetutës dhe jo të krijimit të normave të reja kushtetuese. Edhe këtë herë ky proces u kërkua me qëllim qartësimin e zgjidhjeve të duhura kur ekzistojnë paqaartësi juridike. Nuk ka pasur asnjë krizë kushtetuese për një situatë që kërkonte zgjidhje kushtetuese dhe angazhim domethënës për sqarimin e aspekteve të rëndësishme, respektim të parimeve të shtetit të së drejtës, autonomisë parlamentare, sigurisë juridike dhe ruajtjes së balancave në demokraci. Komisioni i Venecias vë ekuilibrin mes respektit të ndërsjelltë, midis nevojës për të pasur të drejtë deputetët që të votojnë të lirë dhe detyrimin për të zbatuar vendime të qarta të Gjykatës Kushtetuese.
/tvklan.al