Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka e vënë në hetim nga SPAK për pengim të hetimeve ndaj Erion Veliajt, ka vendosur që vërtetën e saj ta ndaj së pari me deputetët socialistë në mbledhjen e nesërme të grupit parlamentar.
Përmes një komenti në rrjetet sociale ajo nuk i mohon as marrëdhëniet e afërta me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe as se ka komunikuar gjatë kësaj kohe me ta, por jo për të mbuluar të vërtetën.
“A kam folur me Ajolën gjatë këtyre muajve të ferrit që ajo po kalon, duke u gjendur nën një presion të frikshëm mediatik, përveçse në një proces që për mua ka shumë pikëpyetje? Po, kam folur dhe do flas sa herë të më kërkojë apo ta kërkoj. Por kurrë për të mbuluar të vërtetën, sepse halli s’ka qenë asnjëherë se si e vërteta që Ajola ka ndarë me mua, të mbulohet. Halli ka qenë dhe sot është edhe më i madh, se si e vërteta e Ajolës të mos mbulohet.”
Më herët ajo u përfshi në debate edhe me deputetët demokrat në Komisionin e Ligjeve, të cilët i kërkuan asaj të largohet nga drejtimi i këtij komisioni.
Sipas Prokurisë së Posaçme, Bushka ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal ku po hetohet kryebashkiaku Veliaj.

Tv Klan