Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, ka akuzuar prokurorinë se po vepron me dy standarde lidhur me kallëzimet penale të bëra ditën e votimit nga organi i drejtuar prej tij në adresë të komisionerëve që në mënyrë flagrante me Kodin Zgjedhor, bllokuan procesin elektoral duke marrë me vete vulën e qendrës së votimit.
Ky qëndrim i zotit Ristani erdhi gjatë prezantimit të raportit vjetor të KQZ-së në Komisionin e Ligjeve, ku ai deklaroi se zgjedhjet e 28 Qershorit pavarësisht vonesave në procesin e numërimit ishin të lira dhe transparente.
Arben Ristani:“Kam konstatuar një veprim jo të barabartë në rastin e një hetimi në Fier. Kallëzimi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë për shkeljen e ligjit nuk është trajtuar njësoj ndonëse është në të njëjtën çështje me kallëzimin tjetër që ka ardhur nga komisionerët e asaj qendre votimi. Është një dystandart i përdorur në këtë rast. Ka patur vonesa në numërim, ka patur bllokime të numërimit, ka patur hyrje të njerëzve të paautorizuar në vendet e numërimit, por me 100% garanci numërimi ka qenë korrekt dhe i pamanipuluar.”
Për kreun e KQZ rasti më flagrant I bllokimit të qendrave të votimit ishte ai I marrjes së vulës nga ana e komisionerëve të Partisë Socialiste. Duke dënuar fenomenin, Ristani kërkoi nga parlamenti që ashpërsia e ligjit t’i përgjigjet fenomenit negative të ripërsëritur në kohë.
Arben Ristani: “Fenomeni i largimit me vulë është bërë nga subjekti elektoral Partia Socialiste. Nuk i përgjigjet ashpërsia e dënimit fenomenit që ka ndodhur. Të mendohen amendimet e ligjit për të gjetur masa të tjera ligjore për të mos lejuar që të ndodhë më ky si fenomen.”
Megjithatë kreu i KQZ-së tha se nga ana e 40 mijë komisionerëve nuk është shënuar asnjë parregullsi materiale zgjedhore.
Arben Ristani: “Për sa kohë që nuk ka asnjë gjurmë në materialin zgjedhor për shkelje të mundshme është absolutisht e sigurt që nuk ka pas shkelje, kur veshi dhe syri i të gjithë atyre që flasin për procesin ka qenë i mishëruar tek komisionerët, tek vëzhguesit, tek kandidatët për deputet. Nuk ka konstatuar gjë. Unë nuk e di se si mundet që njerëz të tjerë jashtë procesit që nuk kanë qenë në proces ta kontestojë procesin. Përveç se një thashethem i madh të cilit unë nuk kam ç’përgjigje t’i jap. Nuk di të them tjetër.”
Interesin e demokratëve në komision lidhur me moszbatimin e ligjit elektoral për djegien e fletëve të votimit, Kreu i KQZ-së e argumentoi me faktin se një iniciativë e tillë s’ka ndodhur nisur nga debati politik që ngërtheu subjektet elektorale në vend.
Arben Ristani: “Duke qenë se debati politik nisi menduam të mos e realizojmë procesin në mënyrë që mos i hidhnim benzinë zjarrit duke qenë se dhe ligji nuk kishte afate kohore të përcaktuara.”
E ndërsa kreu i KQZ kërkoi që të bëhen një sërë ndryshimesh në kodin elektoral me qëllim ashpërsimin e ligjit ndaj fenomeneve negative që synojnë bllokimin e procesit elektoral, demokratët u shprehën se pas këtij raporti pikë e dytë duhet të ishin pikërisht këto amendime në kod në një kohë sikundër thanë ata vetëm një vit na ndan nga zgjedhjet vendore./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro