Raporti i ri i organizatës “Transparency International” këtë vit thotë se korrupsioni në sektorin e ujërave është katalizatori i krizës globale të ujit që kërcënon miliarda jetë dhe shton degradimin e mjedisit.

Sipas këtij raporti janë shënuar disa raste korrupsioni edhe në Shqipëri. Kështu Banka Botërore në vendin tonë ka përjashtuar 6 kompani dhe 5 individë, pasi zbuloi se ata kishin konspiruar në mënyrë të paligjshme mbi një projekt në fushën e ujit.

Në një intervistë të publikuar në BBC, Kristian Poortman, drejtor i programeve globale në Transparency International, thotë se korrupsioni ekziston në të gjitha vendet e botës dhe si në Shqipëri ka shumë konkurrencë për ujin dhe përdorimin e tij, saqë kur ka kërkesa të tilla veçanërisht në periudha të thata dhe furnizimi është i kufizuar, disa personave i krijohen kushte për praktika korruptive dhe i ofrojnë shërbimet e tyre në çmime më të larta.

Zyrtari vë theksin edhe tek transparenca e informacionit në një shoqëri civile dhe reagimet e saj ndaj rasteve të tilla.

Në veçanti, sipas tij, ka mënyra me të cilat çdo shoqëri është e vetëdijshme për korrupsionin dhe mund të vetëmbrohet prej tij.

Poortman mbyll intervistën duke thënë se dijenia është një shenjë shpresëdhënëse që do na fusë gradualisht në rrugën për të kufizuar këtë plagë të shoqërisë dhe efektet e saj./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle