Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Shqipëria pothuajse ka mbetur jashtë kualifikimit për të përfituar nga llogaria e sfidave të Milleniumit, një fond ky, që presidenti amerikan Xhoxh Bush ka vënë për të ndihmuar vendet në zhvillim. Ky vlerësim negativ i qendrës së zhvillimeve globale, vjen nga niveli i lartë i korrupsionit dhe ecuria e reformave.

Shkaqet e lënies jashtë llogarisë së Milleniumit, janë të njëjta me konkluzionet që janë paraqitur me raportin e fundit të BE, apo të KE. Pra për partnerët tanë, më e rëndësishme se çdo gjë është plotësimi i standardeve brenda vendeve, që do të thotë zhvillim të demokracisë, ecuri e kënaqshme ekonomike dhe luftë kundër trafiqeve dhe korrupsionit.

Njerëz të njohur të politikës dhe shoqërisë civile e kanë cilësuar lënien jashtë llogarisë së Mileniumit, si vlerësim real të procesit të reformave.

Preç Zogaj: “Ky është çmimi që paguan Shqipëria për korrupsionin e ngritur në sistem, jo për korrupsionin e thjesht si fenomen. Korrupsion i ngritur në sistem, si dukuria e qeverisë Nano. Ky është çmimi që paguan Shqipëria për mungesën e politikave të zhvillimit që kanë prodhuar gjithë këtë varfëri dhe ky është çmimi që pagan Shqipëria për prishjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në këto pika, skaneri amerikan nuk gabon”.

“Puna është që të kuptojmë fenomenin, duhet të jetë e qartë për të gjithë, që të gjithë programet e ndihmës, që partnerët në vendet e zhvilluara dhe agjencitë e tyre zbatojnë me vendet në zhvillim, përfshi këtu dhe me vendet në tranzicion si Shqipëria, nuk udhëhiqen aspak nga motive sentimentale, apo nga njohje personale me politikanë apo personalitete të vendeve përkatëse. Ato udhëhiqen nga kritere të qarta, të cilat të cilat janë shkruar dhe eksplicit edhe në aktin për sfidën e Milleniumit për të cilën bëjmë fjalë”.

“Sigurisht nuk është e mjaftueshme që vetëm të mbështesësh vetëm koalicionin botëror kundër terrorizmit, natyrisht nuk është e mjaftueshme që t’u dërgosh trupa dhe natyrisht prezenca jonë atje është simbolike. Mjaft e rëndësishme për administratën amerikane dhe çdo administratë perëndimore dhe përgjithësish për komunitetin ndërkombëtar, është niveli i reformave të brendshme”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego