Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Kryeparlamentari Daci ka shprehur respekt për ministrin Pandeli Majko, i cili ka siguruar kosovarët, se do t’ju qëndrojë krah derisa të jetë gjallë. Daci ka vlerësuar se ministri Majko ishte një personalitet që u gjend përkrah Kosovës dhe kosovarëve në kohën e luftës kundër regjimit fashist të Millosheviçit. Sipas tij, Majko është një personalitet që e ka respektin e kryeparlamentarit dhe takimi me të gjithmonë paraqet një kënaqësi, si në Prishtinë, ashtu dhe në Shqipëri.
Nexhat Daci:- “Unë mbështesë plotësisht atë që ka thënë Ministri i Mbrojtjes shqiptare, por këto janë qëndrime vetëm personale të miat. Mendoj që Shqipërisë do t’i bënte mirë të ketë një lloj mendimi të tillë, më tepër nëpër parti dhe parlament, por kjo nuk më takon mua, sepse ai shtet që i ka strukturat e veta dhe ata vendosin vetë”.
Deklarata e ministrit Majko ka zgjuar reagime të shumta në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi. E përditshmja “Koha Ditore” në editorialin e saj “Forca Majko”, ka vlerësuar se ministri ka dalë jashtë kornizave të politikës që njeh vetëm interesin e ngushtë dhe afatshkurtër të kompromisit të përhershëm.
Ministri Majko kishte postin e kryeministrit të Shqipërisë në kohën kur 500 mijë vetë nga Kosova ishin dëbuar atje në përpjekjen sistematike të Beogradit për spastrim etnik. Qytetarët e Prishtinës sot konsiderojnë se Kosova edhe tani ka nevojë për përkrahjen e qeverisë së Shqipërisë dhe të ministrit Majko./tvklan.al