Pas lajmit për privatizimin e një sipërfaqeje prej 1750 m2 në Drilon njëri nga titullarët e Ministrisë së Mjedisit ka theksuar se kjo është në kundërshtim me ligjin 8906. Njëri nga nenet e këtij ligji për zonat e mbrojtura thotë shprehimisht se “monumentet natyrore pronë publike janë të patjetërsueshme”.
Dedej: “Në përgjithësi preferohet që këto lloj monumentesh të kenë një mbrojtje të nivelit sa më të lartë dhe të mos tjetërsohen si pronë, nga pronë publike të kthehen në pronë private.”
Sipas zotit Dedej, Driloni është një nga monumentet natyrore specifike në vendin tonë dhe duke paraqitur vlera të mëdha të florës dhe faunës duhej marrë mendimi dhe nga digasteri i mjedisit apo edhe Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve. Kështu që pas privatizimit pronarët nuk mund të bëjnë si të duan me këtë perlë të natyrës shqiptare.
Dedej: “Tashmë, në një moment që ka ndodhur privatizimi, mendoj që Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Pyjeve duhet të marrë masa që ata persona që sot janë pronarë të asaj pjese toke duhet të jenë të ndërgjegjshëm që nuk mund të kryejnë ato veprimtari që do të dëshironin ata për shumë gjëra, por do të jenë të kushtëzuar.”
Ndërkohë ministri i Financave i ka kërkuar drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Privatizimit të rrisë shkallën e transparencës. Ministri Malaj ka kërkuar nga Agjencia Kombëtare e Privatizimit që në rastet e privatizimit në publik duhet të ftohen edhe mediat. Reagimi i ministrit Malaj vjen menjëherë pas privatizimit të një sipërfaqeje të konsiderueshme në Drilon./tvklan.al