Vila “Art” në Drilon të Pogradecit është shitur nga Agjencia Kombëtare e Privatizimit përmes ankandit për 8.5 mln lekë të reja. Trualli përreth vilës në zonën turistike, të shpallur monument natyre, me një sipërfaqe prej mbi 1700 m2 është shitur për 2.8 mln lek. Këto shifra i konfirmojnë edhe burimet zyrtare të AKP-së që të pyetura nga Televizioni Klan deklaruan se privatizimi i vilës së Drilonit është i rregullt dhe konform ligjeve. Ndërkohë 3 shoqata mjedisore kanë kundërshtuar ashpër privatizimin brenda kësaj zone turistike duke i konsideruar të paligjshme. Këto shoqata i kanë dërguar një peticion ministrave të Mjedisit dhe Rregullimit të Territorit dhe Turizmit me qëllim rishikimin e këtij vendimi.

“Neni 7 në pikën 3 thotë tekstualisht “në pajtim me shkallën e mbrojtjes së zonës ministri i Mjedisit në bashkëpunim me ministrin e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe ministrin e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit miratojnë rregulla të veçanta për kalim vizitorësh (turistë) për afate të shkurtra kohore”, gjë që të lë të nënkuptosh që këtu flitet që edhe turistët duhet të kalojnë për një kohë të shkurtër dhe jo më të ndërtosh objekte sociale siç është restoranti apo hoteli. Nga ana tjetër po ky nen në pikën 2 thotë që monumentet e natyrës trajtohen me shkallën më të lartë të mbrojtjes.”

Vila “Art” në zonën e Drilonit është rikonstruktuar gjatë viteve të fundit dhe ka funksionuar si restorant dhe hotel pasi është dhënë me qira për privatët. Burimet ujore të Drilonit janë në listën e trashëgimisë ndërkombëtare botërore të natyrës mbrojtur nga UNESCO si dhe njihet si monument natyre i mbrojtur me ligj me vendim të qeverisë së vitit 2002. /tvklan.al