Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pandeli Majko:- “Mendoj që në të tilla raste duhet të reagojë Ministria e jashtme”.

Besnik Mustafaj:- “Ne konstatojmë se ka një shkelje të standardeve të njohura tashmë në trajtimin e emigrantëve dhe të ndodhur përpara një situate të tillë, i kërkojmë qeverisë greke realisht të përdorë të gjithë autoritetin e saj për zbardhjen e kësaj ngjarje, për zbardhjen e të gjitha ngjarjeve kriminale dhe për parandalimin e tyre në të ardhmen”.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar ndaj incidentit të rëndë me policinë greke. Sot në mesditë, përfaqësues të ambasadës greke, kanë takuar krerët e kësaj ministrie, të cilët kanë shprehur shqetësimin për dy ngjarjet, vrasjen e shtetasit shqiptar dhe keqtrajtimin e tre të tjerëve.

Një grup ekspertësh të Avokatit të Popullit ndërkohë janë nisur në Devoll, ku do të kontaktojnë me autoritetet policore dhe të prokurorisë, lidhur me keqtrajtimin e tre shqiptarëve. Ndërsa Ministria e Rendit Publik nuk ka dhënë asnjë reagim lidhur me incidentin e rëndë, por vetëm ka njoftuar se nuk ka dyndje të kthimit të emigrantëve shqiptarë në kufi me Greqinë dhe se ka një fluks të rregullt të hyrje-daljeve në të dyja anët e kufirit.

Reagim të ashpër ka pasur nga Komiteti Grek i Helsinkit, i cili e konsideroi akt kriminal vrasjen e të riut shqiptar në zonën e Kosturit. Përfaqësuesi i këtij komiteti tha, për radio BBC që është e pajustifikueshme që gjatë operacioneve greke, emigrantë të paarmatosur të plagosen apo vriten me armë zjarri. Ai shprehu shqetësimin, që ndërsa dy viteve të fundit ka pasur mjaft incidente në kufi me keqtrajtimin e emigrantëve, nuk është marrë asnjë masë./tvklan.al