Partia Socialiste e cilëson mjaft pozitive ecurinë e porcesit të integrimit europian të Shqipërisë, vullnetin e Bashkimit Europian për të mbështetur dhe bashkëpunuar me qeverinë shqiptare në realizimin e reformave integruese. Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste, Maqo Lakrori, vlerëson takimet e djeshme në Bruksel të Kryeministrit Fatos Nano, të cilat shënojnë ngritjen e mëtejshme të dialogut Shqipëri-BE.
Maqo Lakrori: “ Me këtë rast, Partia Socialiste e Shqipërisë i fton të gjitha partitë parlamentare, përfshirë edhe partitë e opozitës, që të vlerësojnë objektivisht dhe të mbështesin ecurinë e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, punën për realizmin e prioriteteve qeverisëse.”
Ndryshe e komenton vizitën e Kryeministrit Fatos Nano Sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Demokratike, Besnik Mustafaj. Sipas këtij të fundit, është momenti që opozita të luajë rolin e saj duke denoncuar herë pas here krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme, të cilat janë të lidhura me kupolën rozë.
Besnik Mustafaj: “Opozitës i rritet përgjegjësia për të zhbllokuar situatën në vend, sepse, siç e theksoi Prodi, situata është në Shqipëri, opozitës i del përgjegjësia të marrë përsipër denoncimin e krimit, lidhjeve të krimit me politikën dhe propozimin e masave konkrete, të luftojë për të zhbllokuar reformat, për të cilat Nano po tregon se nuk do t’i bëjë dhe nuk di t’i bëjë të dyja bashkë. I del, gjithashtu opozitës, përgjegjësia që të luftojë për t’i dhënë vendit një sitem zgjedhjesh demokratike, ashtu siç u shpreh Prodi.”
Lëvizjet e opozitës nuk do të përqëndrohen vetëm te funksionarët e saj, por do të kenë mbështetjen e opinionit publik./tvklan.al